Maqedoni

Grubi: “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik”, botim që risjell te qytetarët periudhën e lavdishme të kombit tonë

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot ka marrë pjesë në promovimin e librit “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik”, nga autori Bekim Adili.

“Sot ndihem shumë i nderuar që po promovojmë një botim që në fokus ka konfliktin e vitit 2001, konflikt ky i cili na bëri që të bëjmë kthesën e madhe për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i këtij libri është që ajo pjesë e historisë sonë shqiptare, e mbetur nën hije, të zbardhet dhe të dihet më shumë dhe në mënyrë sa më të dokumentuar për dhe rreth konfliktit të vitit 2001 nën syrin mediatik. Studimi i konflikteve është një nga temat më të vështira për të hulumtuar dhe dokumentuar në libra. Duke iu qasur nga dimensioni teorik, kritik dhe historiografik, kësaj periudhe të historisë me të re shqiptare, ky botim synon që të jep njohuri të mjaftueshme për këtë periudhë historike e cila deri më tani është e paprekur nga studiuesit e historisë. Ky është një botim që risjell tek qytetarët një periudhë të lavdishme të kombit tonë që lufton për të drejtat e tij, pas shumë botimeve me karakter ushtarak apo politik, parë në dritën e medias së kohës. Studimi pasqyron kronologjinë e ngjarjeve dhe momentet historike sipas medias së asaj kohe, qëndrimin e faktorit ndërkombëtar, kryesisht SHBA, BE dhe OSBE nëpërmjet përfaqësuesve të saj. Tashmë pas 20 vitesh kemi një klasë politike që ka marrë përgjegjësi qeverisëse konkuruese, një klasë politike me programe politike që shpreh pjekurinë e nevojshme 20 vjeçare që nga Marrëveshja e Ohrit e deri më sot, ku jemi dëshmitarë të prirjes së projekteve të mëdha shtetërore e kombëtare”, ka thënë Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.

Sipas tij, lufta për pushtet, kundërvënia e klasave dhe antagonizmat kombëtare përcaktojnë linjat politike që mund të mishërojnë diskutimet e ndryshme ideologjike.

“Ky botim është referencë e vyer edhe për studentët dhe pedagogët e historisë, gazetarisë, shkencave politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, gjithashtu do të kisha thënë se është edhe mësim i mirë për të gjithë ne, që ta kuptojmë përgjegjësinë historike që e kemi ndaj qytetarëve. Kjo periudhë historike është pjesë organike e lidhur me historinë e popullit shqiptar dhe e integruar me atë të historisë botërore. Vetë marrëdhëniet ndërballkanike janë përcaktuar nga evolucioni i brendshëm i secilit nga këto vende. Lufta për pushtet, kundërvënia e klasave dhe antagonizmat kombëtare përcaktojnë linjat politike që mund të mishërojnë diskutimet e ndryshme ideologjike. Dhe me të drejtë thuhet se Ballkani prodhon më tepër histori sesa është në gjendje të konsumojë. Ky botim është një pasuri për bibliotekën e çdo studiuesi sepse faktet e publikuara nuk lejojnë rrezikun e deformimit të historisë. Për fund, më lejoni dhe njëherë të përgëzoj autorin duke i dëshiruar edhe më tej suksese në punën që bën”, ka theksuar për fund Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.