MaqedoniTop Lajme

Të dielën LSDM zgjedhë pasradhësin e Zaevit

Shpërndaje

Pas tre mandateve si kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev lëshon frontin socialdemokrat. Dorëheqja e tij erdhi pas debaklit në zgjedhjet lokale. Gjatë mandateve të tij LSDM-ja doli nga kriza legjitime, ndërsa Maqedonia e Veriut doli nga kriza politike dhe ajo e sigurisë, duke u bë edhe anëtare e NATO-s. Megjithatë Zaev po largohet duke e lënë përsëri vendin në krizë, kësaj radhe shëndetësore dhe energjetike.

Të dielën 60 mijë anëtarë aktiv të LSDM-së votojnë për njërin nga tre kandidatët për pasardhës të Zaevit. Në garë janë, Dimitar Kovaçevski, Frosina Remenska dhe Jovan Despotovski. Kovaçevski së fundi është parë në shoqërim të Zaevit, posaçërisht në takimit për zgjerimin e shumicës parlamentare. Në fushatën e tij për kryetar të LSDM-së janë para edhe eksponentë të udhëheqjes së LSDM-së. Kovaçevski pretendon që LSDM-në ta rikthejë si parti fituese në bllokun politik maqedonas.

“Për ne ka rëndësi që ta kthejmë besimin se mundemi vetë dhe duhet të punojmë vetë si parti për ta avancuar shoqërinë tonë, gjithmonë duke pasur parasysh përcaktimin e qartë në rrugën e integrimeve evropiane”, tha Dimitar Kovaçevski, Kandidat për kryetar të LSDM-së

Kundër kandidatja e tij, Frosina Remenski pretendon të angazhohet për përfaqësimin dhe përfshirjen e gruas në politikë, dhënien fund të dhunës ndaj grave dhe kthimin e dinjitetit të LSDM-së. Remenski hy në garë për të paren e partisë pas largimit nga udhëheqja partiake për shkak të dyshimeve për përfshirjen e saj në rastin gjyqësor “Lidhja ndërkombëtare”.

“Me këtë dua të tregoj se gratë edhe munden edhe dinë. I inkurajoj të gjitha femrat, pavarësisht cilës parti politike i përkasin, përkatësisë etnike apo janë ose jo në funksione partiake të mos tërhiqen na beteja e tyre, këmbëngulja, liria dhe e drejta e tyre””, tha Frosina Remenski, Kandidate për kryetare të LSDM-së

Jovan Despotovski, aktivist 30 vjeçar në LSDM dhe së fundi bartës i funksionit drejtor i Drejtorisë për zhvillimin e zonave teknologjike vlerëson se me zgjedhjen e tij si kryetar i LSDM-së, subjekti do t’i rikthehet përcaktimeve primare politike, ndërsa rruga euroatlantike do të mbetet opsion i pa cenuar vendin dhe qytetarët.

“Fokusi jonë mbeten qytetarët, zgjidhjet e shpejta dhe efikase për problemet me të cilat qytetarët ballafaqohen ndër vite. LSDM-ja ka ekip, njerëz dhe rezultate dhe mbi gjitha dëshmoi se din të ballafaqohet me sfidat bashkëkohore”, Jovan Despotovski, Kandidat për kryetar të LSDM-së

Sipas statutit të partisë, pas zgjedhjes së kryetarit të partisë pason zgjedhja e organeve të reja partiake, ndërsa udhëheqjen e subjektit e zgjedh kreu i partisë.