Mariçiq për faljen e të burgosurve: Asnjë emër kontestues nuk do të jetë në listë
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq siguron se asnjë emër kontestues nuk do të jetë në listën për falje apo shkurtim të dënimit të disa të burgosurve.
Në një intervistë prë “Sloboden Peçat”, Mariçiq tha se lista është përpiluar nga drejtoritë e burgjeve dhe do të dorëzohet te presidenti Stevo Pendarovski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ministria e Drejtësisë nuk jep asnjë falje. Bëhet fjalë për falje specifike për Vitin e Ri dhe listat për ulje të pjesshme të dënimit bëhen nga drejtorët e burgjeve dhe përcillen për shqyrtim. Mendoj se disa nga emrat e kontestuar nuk do të jenë as në lista. Pra, draft listat janë nga burgjet dhe jo nga Ministria e Drejtësisë. Këto lista kalojnë nëpër katër filtra”, thotë ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq.
Ndryshe, në listën jozyrtare të dhjetëra të burgosurve që kërkojnë falje ose shkurtim të dënimit nga presidenti janë biznesmeni Sead Koçan, Aleksander Vasilevski (Ninxha) i i dënuar për ngjarjet e 27 prillit dhe Boban Iliq, i dënuar për vrasjen e Almir Aliut (4-vjeçar).