RajoniTop Lajme

Shqipëri, dorëzohen banesat e ndërtuara nga Turqia për familjet e prekura nga tërmeti

Shpërndaje

Në Shqipëri janë dorëzuar banesat e ndërtuara me financimin e Turqisë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në një aktivitetet me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit dhe përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar në qytetin e Laçit, të Bashkisë Kurbin, ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të tjerë të Qeverisë së Shqipërisë, drejtues të Bashkisë së Kurbinit, si dhe qytetarë të cilët përfitojnë banesat.

Shqipëri, dorëzohen banesat e ndërtuara nga Turqia për familjet e prekura nga tërmeti❮❯

Kryeministri Rama, duke folur mbi projektin e ndërtesave në Laç, theksoi se projekti është shembulli më kuptimplotë që rindërtimi është bërë për të gjitha familjet shqiptare të prekura nga tërmeti.

Rama tha se rindërtimi është një program për shqiptarët, është një program për çdo familje shqiptare që në momentin më kritik të jetës së tyre, por edhe në një moment shumë kritik për vendin “ne ishim të vendosur që të mos i linim vetëm dhe t’u gjendeshim pranë”.

“Jo vetëm këtu, por në të 11-të bashkitë e prekura, shtëpitë pavarësisht se nga kush janë financuar, në pjesën dërmuese janë financim i qeverisë shqiptare, në këtë rast është financim i qeverisë turke dhe kujdes i drejtpërdrejtë i presidentit Erdoğan, i atij mikut tim që kur disave iu del në Facebook bëjnë lloj-lloj komentesh të padenja, por që u gjend(Presidenti Erdoğan) si të ishte këtu, i lindur këtu, i rritur këtu dhe si të kishte njerëzit e vet këtu, duke vënë në dispozicion menjëherë të gjithë forcën e miqësisë dhe solidaritetit”, u shpreh Rama.

Gjatë fjalës në ceremoni, ambasadori Yörük, tha se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë janë në nivelin e partneritetit strategjik, të cilat bazohen në lidhje të thella historike, humanitare dhe kulturore. Ai theksoi se sot janë mbledhur në Laç për të festuar një rezultat të natyrshëm të partneritetit mes dy vendeve.

“Me direktivat e presidentit tonë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë tërmetit të nëntorit 2019, të gjitha institucionet e shtetit tonë u mobilizuan që në momentin e parë për popullin mik dhe vëlla shqiptar. Presidenti Erdoğan gjithashtu ishte ai që loboi më së shumti për t’i grumbulluar ndihmë Shqipërisë nëpërmjet gjithë komunitet ndërkombëtar dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam”, u shpreh ambasadori turk.

Ambasadori Yörük, duke u ndalur tek ndihmat e institucioneve turke pas tërmetit, tha më tej se në tërmetin e nëntorit 2019, Turqia ishte vendi i parë që i erdhi në ndihmë Shqipërisë.

“Ky projekt të cilin ne e kemi përfunduar me një arkitekturë moderne dhe me çdo gjë të nivelit më të lartë, është një shenjë madhështore e miqësisë së palëkundur dhe marrëdhënieve të mira mes vendeve tona”, theksoi Yörük.

Ai tha se nën udhëheqjen vizionare të presidentit Erdoğan, Turqia do të vazhdojë të qëndrojë gjithmonë pranë vëllezërve shqiptarë dhe të gjitha vendeve e kombeve mike në Ballkan.

Arben Ahmetaj, zv.kryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave i Shqipërisë, duke theksuar se banesat janë falas, tha se “Gjithë Shqipëria e ka pritur këtë mrekulli”. “Një falënderim të madh kam për qeverinë turke, presidentin Erdoğan, për ty ambasador”, tha Ahmetaj.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, tha se ndien se kjo është dita më e lumtur që prej ditës që drejton punët e përditshme të këtij qyteti. “Kjo lagje e mrekullueshme që është sot para nesh, një ndër lagjet rezidenciale më të bukura në vend është fryt i bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët tanë turq”, u shpreh Cara.

Kryeministri Rama, ambasadori Yörük dhe zyrtarët e tjerë të pranishëm vizituan disa nga apartamentet dhe familjet që kanë marrë ndërtesat e reja.

Projekti i financuar nga Turqia i cili përfshin 522 apartamente, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi u zhvilluan nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç në Bashkinë e Kurbinit u realizuan nga kompania Albayrak. Në ditët në vazhdim do të përfundojë gjithë procesi për akomodimin e familjeve në ndërtesat në Laç.