Maqedoni

Nis ndërtimi i shkollës në Bllacë, banorët nuk e kanë pritur se ndërtimi do të jetë modular

Shpërndaje

“Në vendin ku po ndërtohet dhe në shikim të parë nuk të ngjason si shkollë, por fatmirësisht pas shumë pritjeve dhe pas shumë viteve, duke kërkuar banorët e këtij fshati një shkollë më në fund ka filluar ndërtimi”, raporton gazetari i TV21, Afrim Jonuzi.

Banorët e Bllacës nuk e kanë menduar se shkolla do të jetë modulare. Ata kanë pritur që të jetë me tulla ashtu sikur të gjitha shkollat.

“Ne kemi kërkuar që shkolla me u ndërtua me tulla normal si duhet dhe jo këtë të montuar, unë personalisht për veti e kam kundërshtuar”, tha Metali Bardhi, banor.

Banorët thonë se edhe dera e shkollës është në anën e kundërt.

“Sipas projektit që është bërë, kjo do të jetë hyrja e shkollës. Disa banorë që kanë parë projektin thonë se këtu do të jenë dy klasa, por se ku do të jenë ata dy klasa, me sy të lirë mund të vërehet se është shumë objekt i vogël”, raporton më tej gazetari Jonuzi.

Metali Bardhi banorë i fshatit Bllacë tregon se puna nuk po bëhet puna siç duhet.

“Po shihet se këtu kurse po e kryejmë një punë edhe asgjë hiq”.

Tenderi për këtë shkollë është bë dy muaj para zgjedhjeve lokale. Për ndërtimin e kësaj shkolle u lëvdua edhe zv/kryeministri i parë Artan Grubi. Ai në një konferencë për media tha se shkolla është në përfundim e sipër.

“Tash edhe atje po ndërtojmë, e tejkaluam problemin dhe është në përfundim e sipër edhe shkolla në Bllacë”.

Sipas tenderit, ndërtimi i kësaj shkolle, buxhetit të shtetit i ka kushtuar mbi 6.8 milion denarë.
Në këtë shkollë do të mësojnë afër 50 nxënës, të cilët deri tani tash e sa vjet kanë udhëtuar në Han të Elezit për të vijuar mësimin.