Maqedonia e Veriut me laborator të ri për testimin e cilësisë së derivateve të naftës
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi së bashku me drejtoreshën e Byrosë për Metrologji, Merita Mustafai dhe drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska promovuan Laboratorin për testimin e cilësisë së mazutit.
Bekteshi tha se me këtë investim prej 24 milion denarësh, për qytetarët dhe operatorët ekonomikë do të sigurohet cilësi më e madhe e derivateve të naftës.
“Me këto investime nuk do të duhet më shumë se dy orë që të kemi rezultatet e caktuara të cilët duhet të jenë në përputhje me Rregulloren e kualitetit të naftës dhe derivateve të naftës”, tha Bekteshi.
“Me këtë do të caktohet përmbajtja e sulfurit, koks-it, hiri, ujë dhe papastërtitë mekanike të mazutit, por edhe karakteristikat tjera cilësore siç janë distilimi, trashësia, pika e vlimit, pika e shkrirjes, viskoziteti, pika e rrjedhjes dhe fuqia termike. Rezultatet e këtyre analizave do të mund të sigurohen shumë shpejti, me siguri dhe efikasitet“, tha Merita Mustafai, drejtoreshë e Byrosë për Metrologji.
“Nga muaji i gjashtë e këndej, kemi mbi 15 kontrolle në pompat e benzinës në të gjithë vendin, për të cilat kemi përdorur laboratorin mobil, për të analizuar cilësinë e naftës, apo të benzinës dhe dizelit. Ajo që e kemi si informacion është se në të gjitha kontrollet analizat kanë treguar se cilësia e naftës dhe benzinës janë në parametrat e lejuara, në përputhshmëri me standardet”, pohoi Aneta Simeska Dimoska, drejtoreshë e ISHT.