Ahmeti shkon te Kurti në Prishtinë, a do të hiqen masat në kufi me 3 doza të vaksinës?
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, mbrëmë bashkë me disa ministra shkoi në Prishtinë ku zhvilloi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Siç bëjnë të ditur nga BDI, temë diskutimi ka qenë edhe heqja e masës për hyrjen në Kosovë me 3 doza të vaksinës anticovid ose me 2 doza vaksine të bashkangjitur me test PCR.
“Ahmeti dhe Kurti kanë diskutuar mbi situatën me pandeminë në të dy vendet, gjendja nëpër institucionet shëndetësore si dhe lehtësimi dhe largimi i masave si brenda vendeve ashtu edhe për lëvizje nëpër kufij”, u tha në njoftimin për takimin Kurti – Ahmeti.
Kufizim nga ana e Kosovës vlen deri më 4 shkurt, mirëpo nuk dihet nëse e njëjta do të vazhdohet apo hiqet plotësisht, ndërsa rishqyrtimin e kësaj mase, javë më parë e kishte kërkuar edhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Edhe qytetarët e Kukësit në Shqipëri kanë protestuar në kufirin Shqipëri-Kosovë, në Morinë, kundër këtij kufizimi. Me letër drejt Kurtit iu është drejtuar edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ku ka theksuar se obligimi për vaksinë me dozën e tretë po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve.
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se takimi ishte zyrtarë, por ajo që bën përshtypje është se as kryeministri i Kosovës, Kurti e as ministrat e tij, takimin me Ahmetin dhe ministrat e BDI-së nuk e kanë bërë publike në rrjete sociale.
E kundërta ndodhë me ministrat tonë, ku pothuajse të gjithë, duke nisur nga Grubi, Bekteshi, Shaqiri dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Ejup Rustemi, takimin me kabinetin qeveritar të Kosovës dhe Kurtin e kanë shpërndarë në Facebook.