AKP merr nën administrim Agrokosova Holding
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka deklaruar se ka marrë nën administrim ndërmarrjen Agrokosova Holding (ish NBI Suhareka).
AKP përmes një komunikate për media ka ftuar punëtorët aktual që të vazhdojnë punën me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe të mos largohen nga vendet e punës.
Përveç punëtorëve, AKP ka ftuar edhe bujqit të cilët kanë marrëdhënie kontraktuale me Agrokosovën të vazhdojnë punën.
“AKP zotohet se do të vazhdoj bashkëpunimin me qëllim të mbarëvajtjes së marrëdhënieve komerciale dhe zhvillimit ekonomik të komunës së Suharekës.AKP zotohet se me përkushtimin më të madh do të bëjë përpjekje për të ofruar zgjidhjen më të mirë për ndërmarrjen e re Agrokosova Holding (ish NBI Suhareka). Në ndërkohë, AKP do të vazhdoj aktivitetin e ndërmarrjes me punëtorët aktual të cilët do të lidhin marrëdhënie pune me AKP-në”, thuhet në komunikatën e AKP-së.
Më datën 31 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”).Agjencia Kosovare e Privatizimit, pas përfundimit të procedurave të nevojshme me rastin e tërheqjes së aksioneve sot ka ekzekutuar vendosjen e ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish NBI Suhareka), e cila tani e tutje do të jetë nën administrimin të drejtpërdrejt të AKP-së.