Bie qeveria në Mal të Zi
Kuvendi i Malit të Zi votoi mocionin e mosbesimit për Qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiq – me çka merr fund mandati i kësaj qeverie.
Për shkarkimin votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 11.
Nga 81 deputetë, 54 votuan.
Për rrëzimin e Qeverisë votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Qeveria e Krivokapiqit do të vazhdojë të punojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Votimi i mosbesimit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e Qeverisë së re.
Qeveria e Krivokapiqit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh më 4 dhjetor të vitit 2020, me votat e Frontit Demokratik pro-serb, të Demokratëve dhe të Lëvizjes Qytetare URA.
Këto parti mposhtën Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet e gushtit të atij viti.
Por, prejse është formuar në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.
Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.