ASH: Ministria e Kulturës t’i japë fund diskriminimit të kulturës shqiptare
Diskriminimi skandaloz i kulturës shqiptare, mbështetet edhe nga pushtetarët shqiptarë
Të nderuar përfaqësues të mediave, Të nderuar qytetarë,
Jemi sot këtu për të ngritur zërin kundër diskriminimit skandaloz të kulturës shqiptare nga ana e kësaj ministrie ku fatkeqësisht ky diskrimini po bëhet edhe me aminin e funksionarëve shqiptarë të zgjedhur dhe emëruar nga partitë shqiptare në pushtet.
Nëse analizohen mirë rrezultatet e ndarjes së buxhetit për projekte dhe aktivitete kulturore, vërehet se shqiptarët në shumicën e sektorëve nuk arrijnë as 20 përqind të mjeteve. Do të përmendim vetëm disa sektorë sa për ilustrim, Sektori për botime ku shqiptarët marrin 18.39%, festivalet e literaturës 18%,Sektori i dramës 18%, ndërsa edhe më keq është në sferat e tjera si ajo e festivaleve të muzikës ku shqiptarët kanë ZERO PËRQIND.
Në buxhetin e sivjetshëm, shumë festivale tradicionale të kulturës shqiptare nuk kanë marrë asnjë qindarkë, ndërsa të tjera kanë marrë shuma qesharake me të cilat nuk mund të mbulojnë as shpenzimet elementare. Shoqëritë Kulturore Artistike si “Xheladin Zeqiri”, “Emin Duraku”, “Bajram Shabani” dhe të tjera janë eliminuar krejtësisht, ndërkohë festivale si Vera e Ohrit, marrin 32 milionë denarë.
Përveç diskriminimit etnik, në buxhetin e sivjetshëm janë vërejtur edhe keqpërdorime dhe dallime politike dhe klanore. Në muzikë në shumë projekte të fituara do ta hasni mbiemrin Grubi, ndërsa artistë të shumtë janë lënë duar bosh. Projekte kanë fituar edhe eksponentë të tjerë të cilët i kemi parë në tubime dhe manifestime partiake të BDI-së, madje me shuma të majme të cilat lënë shumë hapësirë për të dyshuar.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Kulturës që urgjentisht të korrigjojë rezultatet dhe të eliminojë këto diskriminime, ndërsa funksionarët shqiptarë në këto ministri të heqin dorë nga nepotizmi, partizimi dhe devalvimi i kulturës shqiptare. Aleanca për Shqiptarët inkurajon artistët dhe punonjësit e kulturës që të mos dorëzohen, por bashkërisht të luftojmë për të drejtat që ju takojnë atyre dhe zhvillimin e kulturës shqiptare ashtu siç e meritojmë.