Zvicra i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë
Zvicra neutrale do t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër rusëve të përfshirë në pushtimin e Ukrainës nga Moska dhe do të ngrijë asetet e tyre, tha qeveria të hënën në një ndryshim të madh nga traditat e vendit alpin.
“Në funksion të ndërhyrjes së vazhdueshme ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Këshilli Federal mori vendimin më 28 shkurt për të miratuar paketat e sanksioneve të vendosura nga BE-ja më 23 dhe 25 shkurt”, ka thënë qeveria në një deklaratë.
Zvicra gjithashtu miratoi sanksione financiare kundër presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit Mikhail Mishustin dhe ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, të cilat hyjnë në fuqi menjëherë, thuhet në deklaratë.
“Zvicra ripohon solidaritetin e saj me Ukrainën dhe popullin e saj; ajo do të dërgojë ndihma për njerëzit që kanë ikur në Poloni”, tha qeveria, duke rinovuar ofertën e saj për të ndërmjetësuar.
Presidenti zviceran Ignazio Cassis kishte thënë të dielën se ishte “shumë e mundshme” që Zvicra të ndiqte linjën e BE-së. /arbresh.info/