Rusia bllokon Facebook-un
Rregullatori shtetëror rus për mediat Roskomnadzor, ka bërë të ditur se qasja në rrjetin më të madh social në botë, Facebook është ndaluar në Rusi.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, vendimi vjen pasi që Roskomnadzor ka gjetur shkelje që përbëjnë diskriminim ndaj Rusisë nga Facebook-u. Në raportim thuhet se janë gjetur 26 shkelje që nga tetori i vitit 2020.
Rusia kishte vendosur tashmë kufizime të reja të ashpra për gazetarët në vend, me dënime deri në 15 vjet burg për ata që publikojnë “lajme të rreme” për luftën.
Narrativa “zyrtare” shtetërore nuk i referohet konfliktit si një “pushtim” ose “luftë”, përkundrazi e quan atë një “operacion special” për “de-nazifikimin” e Ukrainës – pavarësisht se presidenti ukrainas është hebre.
❗️ Роскомнадзор принял решение о блокировке доступа к сети Facebook в России
— РИА Новости (@rianru) March 4, 2022
Rusia ka bllokuar faqet e internetit, brenda territorit të saj, të disa organizatave të huaja mediatike, mes së cilave Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, BBC dhe Deutsche Welle, duke i akuzuar ato për përhapje të informacionit të rremë në lidhje me luftën e saj në Ukrainë.
Agjencia ruse që mbikëqyr mjetet e informimit ‘Roskomnadzor’ tha të premten se arsyeja për kufizimet është se këto organizata mediatike kanë përhapur gënjeshtra sipas saj mbi thelbin e operacionit special ushtarak në Ukrainë, formën e tij, metodat e operacioneve luftarake (sulmet ndaj popullatës, goditjet në infrastrukturën civile), humbjet e forcave të armatosura ruse dhe viktimat civile.