Rritja e çmimit të karburanteve e miellit, Rama: Po bëhet luftë. Asnjë qeveri nuk e kontrollon dot rritjen e çmimeve
Në një replikë me një qytetar në rrjetet sociale, për rritjen e çmimeve, kryeministri Edi Rama thotë se nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatët, në kushtet kur po bëhet luftë, është e pashmangshme që pasojat e rritjes së çmimeve të mos ndihen edhe në vendin tonë. Megjithatë Rama kujton se ndryshe nga vendet e tjera, qeveria po bën gjithçka që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë.
Çfarë po ndodh me çmimin e naftës dhe miellit si është e mundur që nuk ka një kontroll për këto gjëra, s’është e drejtë të rriten çmimet në çdo sekondë, duhet të keni një zgjidhje për këtë.
Edi Rama: Elion Tahiri po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë të jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po të ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë, ku çmimet po rriten edhe më frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatët, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët! Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, po s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama nga ana tjetër s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashkë me tërë të tjerët, një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij!/tvklan.al