Maqedoni

Banorët e Sfillarës së Epërme dhe të Poshtme pa shërbime shëndetësore (Video)

Shpërndaje

Mbi tre mijë banorë të fshatit Sfillare e Epërme dhe e Poshtme nuk kanë shërbime të rregullta shëndetësore. Banorët e Sfillares së Epërme thonë se që nga ekzistimi i fshatit nuk kanë pasur ambulantë e as mjek fshati. Për një kontroll të thjeshtë apo për një recetë ata detyrohen të udhëtojnë kilometra deri në institucionin shëndetësor më të afërt, shkruan Alsat.

“Për kontroll shkojmë në Gjorce Petrov, që i bie rreth 7 km deri atje. Vështirë është boll, e nëse nuk ke mjete, nuk ke veturë. Kemi kërkuar disa herë por nuk e kanë mundësuar një gjë të tillë, nuk ju ka interesuar asgjë as për rrugë as për kushte tjera”, tha një banor i Sfillares së epërme

“Ja e kam lënduar dorën, duhet të shkoj deri në Shkup. Shumë është e vështirë për ne. ne kemi kërkuar edhe gjëra më elementare që na mungojnë, e lërë më për ambulantë që nuk vjen pytje, as që na kanë marrë parasysh”, Banor i Sfillares së epërme.

Edhe përkundër faktit që ecin kilometra të tëra për të mbërritur në mjek, banorët sërish hasin në vështirësi. Në shumicën e rasteve ata refuzohen nga poliklinika në Gjorce Petrov, apo nga ambulanca në Rashçe e Kondovë me arsyetimin se e kanë të mbushur numrin e pacientëve.

“ Pa mjek, 500 shtëpi të mbeten kjo është katastrofë. Ka fëmijë, ka pleq, por nuk ka… nëse nuk ke veturë, fëmijën duhet ta dërgosh deri në Spital në Shkup me kombi… në Rashce nuk të mer mjeku, në Kondovë jo…”, tha një Banor I Sfillares së Poshtme

“Dikush shkon në Kondovë hap karton, dikush në Poliklinikën në Gjorce. Por më larg nuk na pranojnë askush. Edhe në Gjorce nuk pranojnë madje, thonë se ju është mbushur numri I pacientëve”, Banor I Sfillares së Poshtme

Përveç mungesës së mjekëve, banorët ankohen për probleme të shumta infrastrukturore.

“Fshatarët vrapojnë nga munden si në Saraj si nëpër Shkup. Askush nuk merr masa për asgjë, kanalizimi katastrofë është, paguajmë por nuk kemi nuk e di çka është puna. As ambulantë nuk kemi, as kanalizim, edhe uji është dobët. 3 orë nuk kemi 2 orë kemi”, Banor I Sfillares së Poshtme.

“Një pjesë e fshatit, gjatë sezonit të verës 4 muaj ditë nuk ka ujë. Dy – tre orë Brenda natës vetëm vjen uji pastaj tërë ditën ujë nuk ka. Do bëhet e s’ka, edhe kanalizimi ajo që ka qenë e shfrytëzueshme nuk është mirëmbajtur aspak. Na thonë do bëhet, pritni në pranverë pritni në vjeshtë dhe asgjë s’po bëhet”, tha një banor

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjeve të ALSAT përse fshati Sfillare e Epërme asnjëherë nuk ka pasur ambulancën e saj, e as nëse mendojnë të gjejnë ndonjë zgjidhje. MSH nuk u përgjigj gjithashtu as nëse mendojnë të iniciojnë ndryshime ligjore të cilat do të siguronin mjek për çdo zonë rurale. Përgjigja e vetme ishte se Shtëpia e Shëndetit e ka njoftuar ministrinë dhe se po punon në gjetjen e zgjidhjes për funksionimin e ambulancës në Sfillare të Poshtme. Heshtje edhe në komunën e Sarajit për problemet e tjera infrastrukturore me të cilat përballen këto dy fshatra.