Zelensky: Lufta e Rusisë synon ngritjen e një versioni të ri të Murit të Berlinit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës synon “ngritjen e një versioni të ri të Murit të Berlinit, por këtë herë në zemër të Evropës”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke iu drejtuar parlamentit gjerman përmes video-lidhjes, Zelenskyy paralajmëroi se lufta mund të çojë në një Evropë të re të ndarë.
“Ndoshta jo të gjithë e dinë këtë. Por ju mund ta gjeni veten edhe një herë pas murit”, tha presidenti ukrainas., duke folur me një grup që përfshinte ligjvënës që akoma kujtojnë Murin e Berlinit të kohës së Luftës së Ftohtë, i cili u rrëzua në vitin 1989.
“Jo Muri i Berlinit, por në zemër të Evropës, ku ka liri. Ky mur po forcohet me çdo bombë që bie në tokën tonë në Ukrainë, me çdo vendim që nuk është marrë”, shtoi ai.
Zelenskyy i kërkoi Gjermanisë të tregojë lidership dhe të ofrojë mbështetje më të fortë për popullin ukrainas.
“Kancelar (Olaf) Scholz, rrëzo këtë mur!”, theksoi ai, duke i bërë jehonë komenteve të vitit 1987 nga i ndjeri Ronald Reagan, i cili në atë kohë ishte president i SHBA-së.
“Tregoni lidership. Ju lutemi na ndihmoni ta ndalojmë këtë luftë”, u shpreh Zelenskyy.
Fjalimi i presidentit ukrainas në Bundestagun gjerman vazhdon përpjekjet e tij për të ngritur çështjen se vendi i tij ka nevojë për më shumë ndihmë për t’u përballur me ushtrinë ruse, duke përfshirë fjalimet në Kongresin e SHBA-së, Dhomën e Komunave të Britanisë dhe parlamentin kanadez.
Zelenskyy ka bërë presion për më shumë ndihmë ushtarake dhe një zonë ndalim-fluturimi, duke theksuar se humbja për Ukrainën do të ishte një humbje për vetë demokracinë.