Rusia njofton se për herë të parë ka përdorur raketën hipersonike “Kinzhal” në Ukrainë
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov njoftoi se ushtria ruse goditi një arsenal në rajonin Ivano-Frankivsk të Ukrainës duke përdorur për herë të parë raketën hipersonike “Kinzhal”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konashenkov tha se trupat ruse me sistemet e mbrojtjes bregdetare “Bastion” kanë shkatërruar qendrat e inteligjencës radio-elektronike të ushtrisë së Ukrainës në vendbanimet Velikiy Dalnik dhe Velikodolinskoe në rajonin Odessa të Ukrainës.
Sipas tij, raketat hipersonike “Kinzhal” janë përdorur për herë të parë në Ukrainë. “Më 18 mars, sistemi raketor ‘Kinzhal’ që posedon raketa hipersonike aerobalistike, shkatërroi një arsenal të madh ku ndodheshin raketa dhe municione të aviacionit të njësive ushtarake ukrainase në vendbanimin Delyatin në rajonin Ivano-Frankivsk”, tha Konashenkov.
Ai theksoi se në orët e natës kanë eliminuar 69 elementë ushtarakë të Ukrainës, përfshirë 4 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 4 qendra komandimi, 1 stacion radari për përcaktimin e objektivit, 3 multi raketahedhëse, 12 arsenale dhe 43 mjete teknike ushtarake.
Konashenkov tha se Forcat ajrore ruse goditën natën 12 dronë. “Ushtria ruse deri më sot ka shkatërruar 196 mjete ajrore pa pilot të ushtrisë së Ukrainës, 1.438 tanke dhe mjete të blinduara, 145 multi raketahedhëse, 556 obusë dhe mortaja si dhe 1.237 mjete ushtarake të veçanta”, tha ai.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka ndarë pamje lidhur me sulmin me raketa ndaj një grupi të Forcave të Armatosura të Ukrainës të cilët po kryenin operacion kërkimi dhe zbulimi me 4 mjete të terrenit prodhim amerikan.
“Ky grup u shkatërrua pasi u godit nga raketat me precizitet të lartë”, thuhet në deklaratën e ministrisë.