BotaTop Lajme

Putinit i ikën një bashkëpunëtor i ngushtë shkaku i pushtimit të Ukrainës

Shpërndaje

Anatoli Chubais, arkitekti i reformave ekonomike postsovjetike të Rusisë, ka lënë postin e tij si i dërguar i posaçëm i Kremlinit dhe është larguar nga vendi, për shkak të luftës në Ukrainë, thanë dy burime për Reuters-in, e që është edhe protesta e profilit më të lartë nga një figurë ruse kundër pushtimit.

Chubaisi, i cili dikur shërbeu si shefi i kabinetit të ish-presidentit Boris Yeltsin, la postin e tij si përfaqësues i posaçëm i Vladimir Putinit për lidhjet me organizatat ndërkombëtare, tha një nga burimet e njohura me këtë çështje për Reuters-in.

Ai u emërua në këtë post, i cili u ngarkua për “arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm”, në vitin 2020, disa ditë pasi dha dorëheqjen si kreu i firmës shtetërore të teknologjisë RUSNANO, të cilën ai e drejtonte që nga viti 2008.

Burimet, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se Chubaisi u largua për shkak të konfliktit në Ukrainë. Ai nuk ka ndërmend të kthehet në Rusi, tha një nga burimet.

I kontaktuar nga një reporter i Reuters-it, Chubaisi e mbylli telefonin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Chubaisi kishte dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

Putini e quan veprimin në Ukrainë një “operacion special ushtarak”, që ai thotë se ishte i nevojshëm, sepse zgjerimi i NATO-s kërcënoi Rusinë dhe për të ndalur atë që ai e quajti “gjenocid” të njerëzve rusishtfolës në Ukrainë që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014.

Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë hedhin poshtë pretendimet për gjenocid. Ata besojnë se Rusia nisi një luftë të paprovokuar për të nënshtruar një fqinj, që Putini e quan një shtet artificial. /Zëri