Maqedoni

Besimi – Garsia: Maqedonia e Veriut ngelet e përkushtuar ndaj reformave të PRE-së

Shpërndaje

Perspektiva e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, gjendja aktuale me zhvillimet në Ukrainë, kriza energjetike si dhe ndikimi ndaj ekonomisë globale ishin tema të takimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vend Hose Luis Lozano Garsia.

Në këtë takim, siç kumtoi Ministria e Financave, ministri theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut i monitoron me vigjilencë zhvillimet në suaza globale, të cilat janë të destabilizuara nga gjendja në Ukrainë duke potencuar se Qeveria reagon me përgjegjësi maksimale për mbrojtjen e ekonomisë vendase dhe standardin e qytetarëve.

“Rezervat e mallrave janë në nivelin e duhur, buxheti është likuid dhe kemi mjete për të reaguar nëse paraqitet nevoja. Po ashtu, kemi instrumente që mund t’i vëmë në dispozicion me qëllim për t’iu përshtatur kushteve sa i përket çrregullimeve të mëdha të tregut”, theksoi ministri Besimi.

Sa i përket perspektivës së vendit në BE, ministri e theksoi qëndrimin se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë tjetër dhe mbetet e përkushtuar në vazhdimin e rrugës drejt BE-së. Ministri shprehu mirënjohje lidhur me përkrahjen që ne si vend e marrim nga Mbretëria e Spanjës dhe ka potencuar se pret që Kryesia e Francës do të vazhdojë me përpjekjet për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.

Në këtë takim u theksua se vendi mbetet i përkushtuar në zbatimin e reformave të dakorduara bashkërisht me BE-në në kuadër të Programit të reformave ekonomike, në shfrytëzimin e mundësive për investime sipas Planit ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor, si dhe në sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

“Plani investues intervenues për periudhën 2021-2027 është në vlerë prej 8.2 miliardë euro, nga të cilat 5.8 miliardë euro janë investime publike, ndërsa mjete në vlerë prej 2.4 miliardë eurove janë mjete të investitorëve privatë. Mundësitë për realizimin e këtij plani janë në dispozicion të Planit ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor. Në aspekt të krizës energjetike prioritare janë projektet për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendase dhe efikasiteti më i madh energjetik”, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Financave.

Që atje potencojnë se në vitin 2021, krahas ndikimit të krizës shëndetësore të shkaktuar nga Kovid 19, ekonomia vendase u rimëkëmb sipas dinamikës së pritshme.

“Këtë vit, projektohet rritje për 4.6% që para se gjithash bazohet në rritjen e investimeve, ku pritet që të ketë ndikim gjendja e ndryshuar në mënyrë drastike nga kriza ukrainase. Megjithatë, pozitive janë sinjalet nga institucionet ndërkombëtare që i referohen çështjes se ekonomia evropiane do të vazhdojë me normat pozitive sa i përket rritjes së saj. Sipas parashikimit për normat mesatare, rritja ekonomike në periudhën 2022-2026 duhet të jetë 5.4%, që do të nxitet nga kërkesa vendase”, thonë nga Ministria e Financave.

Bashkimi Evropian është partneri ynë më i madh tregtar. Me këto vende, përmes Marrëveshjes së lidhur për stabilizim dhe asocim zbatohet tregtia e lirë, andaj shumica e prodhimeve industriale nuk doganohen. Shkëmbi tregtar me Spanjën në vitin 2021 shënoi rritje për 26.8%, ndërsa në muajin janar të vitit 2022 krahasuar me muajin janar të vitit 2021 shënoi rritje për 38.8%. Gjithashtu, në shkëmbimin tregtar me Spanjën shënoi suficit.