Gjykime për lëndët “Titanik 3” dhe “Arka”

Shpërndaje

Seanca të reja në Gjykatën Penale sot do të mbahen për lëndët e PSP-së “Titanik 3” dhe “Arka”.

Në lëndën “Titanik 3” janë të akuzuar Ejup Halimi dhe Ismet Gurri, sepse si anëtarë të Komisionit Zgjedhor Komunal në Çair në zgjedhjet lokale në vitin 2013 “kanë shkatërruar material zgjedhor”.

Të akuzuarit në seancat paraprake thanë se e kuptojnë akuzën që e prezanton prokurorja Fatime Fetai, por që nuk ndjehen fajtorë.

Sipas aktakuzës, të dy të akuzuarit me veprimet e tyre kanë ndikuar drejtpërdrejtë mbi rezultatin zgjedhor dhe, siç është theksuar, kanë pasur nxitje kriminele që ta falsifikojnë vullnetin zgjedhor të qytetarëve të Çairit me qëllim që të realizojnë fuqi politike.

Avokatët e Halimit dhe Gurrit para Gjykatës thanë se me më shumë dëshmi gjatë procedurës do të dëshmojnë se klientët e tyre nuk janë fajtorë, si dhe se në momentin kontestues të aktakuzës nuk kanë pasur kurrfarë funksioni me ç’rast do të ndikonin që të realizohet vepra penale për të cilën i akuzon PSP:

Seanca e kaluar për “Titanik 3” nuk u mbajt për shkak të pjesëmarrjes së obliguese të deputetit Ejup Halimi në seancë të Kuvendit.

Në Gjykatë sot duhet të mbahet seancë edhe për lëndën “Arka” në të cilën të akuzuar janë ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, ish-shefi i kabinetit të tij Toni Jakimovski, ish ndihmës-ministri në MPB Nebojsha Stajkoviq dhe ish-shefi i Drejtorisë së pestë në MPB Goran Grujevski, i cili ndodhet në Greqi.

Ata ngarkohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve dhe shkaktim të dëmit në Buxhet në vlerë prej 862.045 euro për furnizimin e pajisjes elektronike-komunikuese për nevojat e Drejtorisë së pestë pranë DSK-së dhe trajnim për shfrytëzim të tyre nga një firmë nga Britania e Madhe.