BotaTop Lajme

Diplomatja britanike në OKB: Në Turqi ka demokraci moderne

Shpërndaje

Përfaqësuesja e Përhershme e Britanisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Karen Pierce, është shprehur se në Turqi ka demokraci moderne, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pierce, e cila është kryesuese e radhës për muajin gusht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke folur për televizionin Fox News, është pyetur në lidhje me qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump i cili kërkon lirimin e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili ballafaqohet me akuza të terrorizmit në Turqi, si dhe në lidhje me situatën mes dy vendeve.

“Ne jemi aleatë në NATO edhe me Turqinë, edhe me SHBA-të, dhe ne i kushtojmë rëndësi marrëdhënieve tona me të dy vendet. Në të kaluarën, ata kanë qenë shumë afër njëri-tjetrit. Kjo është një çështje e veçantë që duhet të zgjidhet mes dy vendeve. Nuk isha në dijeni të takimit të Ambasadorit Bolton (Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë) dhe Ambasadorit të Turqisë, por mendoj se kjo duhet të jetë një hap i mirë në drejtim të përparimit”, ka thënë Pierce.

Ndërkaq, e pyetur nëse lirimi i Brunsonit do ta lehtesonte krizën mes dy vendeve, Pierce ka theksuar: “Ndoshta. Di që aktualisht në marrëdhënie kanë edhe probleme të tjera. Mendoj se në Turqi ka demokraci moderne dhe shpresojmë se do të jetë në përputhje me rregullat ligjore dhe sundimin e ligjit. Në të kaluarën, ne kemi bërë thirrje për arrestimet dhe për gjyqësor të pavarur. Mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë me Turqinë në disa çështje ligjore”.

Në lidhje me sanksionet që Departamenti amerikan i Shtetit do të zbatojë ndaj Rusisë për shkak të helmimit të agjentit Skripal dhe vajzës së tij, ajo hodhi përgjegjësinë mbi Rusinë për këtë ngjarje.

“Kishte metodat dhe motivet e nevojshme. Nuk ka shpjegime të tjera logjike përveç Rusisë. Ne u dhamë atyre një shans për të biseduar dhe punuar me ne në mënyrë që të zgjidhnim problemin, por ata e refuzuan”, ka thënë Pierce.