Mediat greke: Vetëm këtë vit janë kapur mbi 3 ton drogë, mbi 300 të arrestuar

Shpërndaje

Mediat greke përcjellin me dramaticitet atë që ndodh në kufirin shqiptaro – grek. Sipas medias helene “Kathimerini”, janë rritur në masa të mëdha trafikimet e lëndëve narkotike, sidomos ata që eksportohen nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Dhe, trafiku ndodh kryesisht në rrugë malore, në atë që fqinjët e quajnë “Epir”. Ajo që vë dukje “Kathimerini” është se droga është rritur fuqishëm në tregti gjatë kohëve të fundit, ku nga fillimi i vitit 2018 janë kapur jo pak, por mbi 3 ton drogë, duke u shtuar tregtia me mbi 232 përqind.

Nga ana e policisë është thënë se tregtia me lëndë narkotike, kryesisht kanabis sativa nuk bëhet vetëm në kufi me Greqinë, por edhe në rrugë të tjera ballkanike, duke kaluar më tutje për në Itali, e udhë të tjera të gadishullit të vjetër. Droga shkon nga vendet ballkanike drejt qendrave më të mëdha europiane. Zyrtarët policorë grekë veprojnë në bazë të informacioneve që marrin dhe dalin në terren nëpër malet e Greqisë. Të arrestuar më shumë kishte në zona si Janina, Arta dhe Thesprotia. Policia greke ka bërë dhe vazhdon të bëjë arrestime, teksa nga fillimi i këtij viti janë vënë në pranga 300 shqiptarë, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Nuk ka vetëm trafikantë që marrin drogën diku dhe përmes kufirit e dërgojnë në Athinë a kudo në Greqi, por ka edhe nga ata që e mbjellin në shtëpi. Policia helene ka bërë me dije se të mbjella janë jo vetëm hashashi, por edhe drogëra të forta si kokaina dhe heroina, e se këto të fundit iu japin përfitime marramendëse trafikantëve të mëdhenj.

Shifrat e frikshme

Viti 2017 është ai vit kur janë kapur më shumë drogë në kufirin shqiptaro – grek. Gjatë këtij viti, në kufi u sekuestruan 9 ton dhe 203 kg drogë, më 2016 janë konfiskuar 2 ton e 772 kg lëndë narkotike, kurse këtë vit, më 2018 janë sekuestruar deri më tashmë 3 ton dhe 213 kg drogë. Për kapjet e drogërave, më 2018 janë vënë në pranga 306 persona të dyshuar. Shumica janë shqiptarë. Me gjithë masat e forta të marra prej policisë greke, prapë vijojnë arrestimet për raste trafik droge.