Merr me qira Lamborghinin, gjobitet me 47,000 dollarë për tejkalim shpejtësie për më pak se 4 orë

Shpërndaje

Dubai është i njohur për shumë gjëra dhe bollëku me super-veturat është njëra prej tyre.

Është shumë lehtë të marrësh me qira një super-veturë në Emiratet, nëse ke para. Një turist britanik 25 vjeçar e ka bërë një gjë të tillë, transmeton Koha.net. Ai ka paguar rreth 1,600 dollarë për të marrë me qira një Lamborghini Huracan për dy ditë, por është gjobitur me 47,000 dollarë për tejkalim të shpejtësisë për më pak se 4 orë.

Policia e Dubait janë shumë serioz në paralajmërimin e shoferëve për kufizimet e shpejtësisë, pavarësisht se çfarë veture të shtrenjtë kanë apo sa shpejtë shkojnë ato. Ata që janë të njoftuar se policia nuk ofron asnjë lehtësim, po ashtu janë shumë të kujdesshëm për të mos tejkaluar shpejtësinë para kamerave të shpejtësisë në rrugët e Dubait.

Turisti britanik ndoshta nuk ka qenë i informuar rreth kësaj. Kamerat e shpejtësisë e kanë kapur atë duke vozitur mes 125 deri 230 kilometra për orë 32 herë në rrugën “Sheikh Zayed” dhe një herë në rrugën “Garn Al Sabkha”. E tëra kjo ka ndodhur për më pak se katër orë, mes 2:31 deri 6:26 të mëngjesit. Ai ka tejkaluar gati dyfishin e kufizimit të shpejtësisë në disa zona dhe madje ka arritur që ta kapë dy herë e njëjta kamerë e shpejtësisë për më pak se një minutë.

Gjobat janë dërguar menjëherë te pronari i veturës në Dubai, që në këtë rast ishte kompania që jep me qira veturat. Ata patën pasaportën e tij si garanci dhe adresën e tij të hotelit, përcjell Koha.net. Ndërsa turisti dhe kompania nuk mund të merren vesh se kush do të paguajë gjobat, kompania nuk mund ta marrë as Huracanin e saj sepse do të qëndrojë derisa të paguhen gjobat. Po ashtu, turisti nuk mund të largohet nga shteti sepse nuk e ka pasaportën e tij.

Kështu që, pavarësisht sa tërheqëse janë rrugët në destinacionin tuaj të ardhshëm të udhëtimit dhe sa shpejtë mund të shkojë vetura të cilën e vozisni, do të ishte më mirë që të keni kujdes nga ligjet e komunikacionit para se të tejkaloni kufizimet e shpejtësisë me super-veturën tuaj me qira.