Taravari i hedh poshtë akuzat se pushteti lokal ndërton pa dokumentacion të nevojshëm
Komuna e Gostivarit nuk mundëson ndërtime pa dokumentacionin e nevojshëm, thotë kryetari Arben Taravari në akuzat e degës së BDI-së se me aksionet për prishjen e objekteve pa leje, e mbulon të vërtetën dhe e stimulon krimin urbanistik dhe ndërtimin e objekteve të paligjshme.
“Për atë objekt ka procesverbal si dhe për disa të tjera të cilat shërbimet inspektuese kompetente i kanë bërë edhe për to udhëhiqet procedurë. Në Gostivar ka katër inxhinierë dhe gjashtë doktorë me mbiemër Taravari, a duhet t’u ndalohet të punojnë. Nëse ekziston lidhshmëri apo interes i përbashkët të firmave të familjarëve të mi dhe pushteti lokal duhet menjëherë të raportohen te institucionet kompetente”, tha Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Në konferencën për gazetarët nënkryetari i degës Bashkim Hasani theksoi se firma e një familjari të afërt të kryetarit të Gostivarit ndërton objekt për banim në vendin ku është paraparë për terren sportiv në lagjen zona e tetë.
“Me mosveprimin e shërbimeve të inspektimit dhe ndërmarrjes së masave, nënkuptojmë se Taravari i mbështet dhe i inkurajon kaosin urbanistik.
Taravari nuk i kryen obligimet ligjore dhe me vetëdije e keqpërdor detyrën zyrtare për përfitime materiale për vete dhe për të afërmit e tij. Ai, në mënyrë deklarative angazhohet për zhvillimin e sportit, por në realitet me këto veprat e tij e shkatërron të ardhmen e çdo të riu dhe të çdo banori në këtë lagje”, tha Hasani.