Partitë politike zotohen se do t’i respektojnë masat anti-Covid gjatë fushatës

Shpërndaje

Protokollet aktuale anti-covid nuk lejojnë tubime masive, sidomos pa distancë e maska. Mirëpo sa do të mund t’i respektojnë këto kufizime partitë politike gjatë organizimit të mitingjeve dhe mbledhjeve të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore?

Kreshnik Bekteshi nga BDI tha se partia e tij e ka dëshmuar veten se i përmbahet rregullave të virusit korona edhe gjatë evenimenteve të tjera. Ai madje apeloi edhe te oponentët tjerë që të respektojnë protokollet.

BDI e ka dëshmuar edhe më herët që në kontinuitet u përmbahet protokolleve anti-covid, marrë parasysh faktin që edhe në të kaluarën, edhe në organizimin e evenimenteve të ndryshme në bazë të protokolleve të cilat janë të propozuara nga ana e KSI dhe të miratuara nga ana e Qeverisë, pra çdo herë u jemi përmbajtur po të njëjtave dhe bëjmë thirrje që edhe partitë politike të tjera tu përmbahen rregullave, me të vetmin qëllim që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve.

Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa tha se partia e tij do të ketë fushatë modeste, duke iu përmbajtur plotësisht masave shëndetësore.

Lëvizja Besa do të zhvillojë një fushatë modeste me kreativitet të theksuar dhe me koncentrim më të madh, që qytetarëve tu qaset derë më derë, për t’i njoftuar nga afër me ofertën politike të Lëvizjes Besa në këto zgjedhje. Fushata jonë do të jetë pozitive, afirmative dhe me nivel të lartë të respektit ndaj oponentëve politikë, poashtu duke patur parasysh se jemi në situatë të pandemisë Covid-19, të gjitha aktivitetet tona do të jenë në përputhje të plotë të masave shëndetësore dhe respektimin e plotë të masave shëndetësore.

Edhe VMRO-DPMNE do të ketë takime me qytetarët për të prezantuar kandidatët në terren, por nga partia e Mickoksit thotë së gjithcka do të zhvillohet në përputhje me protokollet anti-covid.

Janë paraparë numër i madh takimesh me qytetarët dhe prezantimi i kandidatëve për kryetarë komunash, listave të këshilltarëve, prezantim të programit, duke përfshi projektet më kapitale, që qytetarët të jenë më të njoftuar. Absolutisht do të jemi aktivë në terren mirëpo sikurse edhe tani do të respektohen protokollet për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, do të respektohen protokollet për mbrojtje nga Covid-19.

Se protokollet do t’i respektojnë premtuan edhe nga koalicioni ASH-AAA.Koalicioni ASH-AAA për gjatë fushatës do t’i përmbahet protokolleve për mbrojtje nga Covid-19, duke mbajtur maskat dhe të gjitha ngjarjet do t’i organizojë në hapësira të hapura.

Këto janë zgjedhjet e treta me radhë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit të kaluar dhe zgjedhjeve shtesë për kryetarë të komunave të Shtipit dhe Pllasnicës, që organizohen me protokolle covid.