Nesër zyrtarisht fillon fushata: BDI në Gostivar, Besa në Shkup, ASh-AAA në Çair, VMRO në Ohër dhe LSDM në Manastir

Shpërndaje

Partitë kanë gati për fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale.

Për atë se si do të prezantohen kandidaturat e BDI para qytetarëve, foli Kreshnik Bekteshi.”Fushatën për zgjedhjet lokale 2021 e fillojmë të hënën, përkatësisht nesër nga Gostivari. Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet lokale do të marrë pjesë me 19 kandidatë për kryetarë komune dhe 35 lista të këshilltarëve. BDI në Gostivar gjithashtu do ta përmbyll fushatën”, tha Bekteshi.

Besa nesër fillon në Shkup, ndërsa fushatën do të përfundojë në Tetovë.

“Fushatën e fillojmë nesër në të hapur pranë sallës Boris Trajkovski në orën 19, ndërsa e përmbyllim në Tetovë më 15 tetor në sheshin Iliria. Kryetari i partisë është kandidat për kryetarë i komunës së Tetovës, nënkryetari Fadil Zendeli është kandidat për kryetarë i komunës së Gostivarit ndërsa nënkryetari tjetër Kastriot Rexhepi është kandidat në komunën e Çairit”, njoftoi Arjanit Hoxha nga BESA.

Ndërsa Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa fushatën do ta fillojnë në Çair.

“Fillojmë nesër në Çair në orën 19 dhe do të përfundojmë në Tetovë në ditën e fundit të fushatës”, njoftuan nga ASh-AAA.

Nga VMRO-DPMNE thonë se ata edhe kësaj here aktivitetet e tyre zgjedhore do t’i fillojnë në mënyrë tradicionale nga Ohri.

“Absolutisht VMRO-DPMNE do të jetë aktive në terren gjatë kohës së periudhës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021. Fushata në mënyrë tradicionale fillon nesër në Ohër me atë që absolutisht do të vizitohen të gjithë vendet, janë paraparë shumë takime me qytetarët”, tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM thonë se për të gjithë aktivitetet e kësaj fushate do të njoftojnë në mënyrë shtesë.

“Nesër në mbrëmje fillojmë në Manastir. Për karvanin me lokacionet e sakta në mënyrë shtesë do të dërgojmë kumtesë”, thanë nga LSDM.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor do të zgjasë 20 ditë. Rrethi i dytë do të mbahet më 31 tetor. KSHZ për këto zgjedhje verifikoi 303 kandidatura për kryetarë komune dhe 567 lista për këshilltarë. Në këto zgjedhje për herë të parë do të zbatohet votimi me lexues të gjurmëve të gishtave, gjë për të cilën janë blerë terminale./tv21