Të armatosur dhe me maska grabisin pompën e benzinës në Mitrovicë

Shpërndaje

Dy persona të armatosur dhe me maska kanë plaçkitur sot rreth orës 4:00 të mëngjesit pompën e benzinës ‘Exfis’ që ndodhet në hyrje të Mitrovicës, me ç’rast kanë vjedhur më shumë se 2 mijë euro.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se sot në ora 4:00 të mëngjesit është raportuar në polici për një grabitje në pompën e derivative ‘Exfis’ në Shupkovc.

“Sipas viktimës, thuhet se dy të dyshuar të armatosur, të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, kanë grabitur nga viktima mbi 2 mijë euro, ndërsa të lënduar nuk ka”, ka thënë Zahiti.

Sipas tij, policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet për gjetjen e kryerësve dhe për ndriçimin e plotë të këtij rasti.

Vlen të theksohet sjellja jashtëzakonisht e keqe e policëve në vendin e ngjarjes ndaj gazetarit të KosovaPress-it, duke tentuar ta pengojnë atë në kryerjen e punës së tij.

Agjencia e Pavarur e Lajmeve KosovaPress, fton Policinë e Kosovës që t’ua tërheqë vërejtjen zyrtarëve policorë për sjelljen e tyre në raport me gazetarët.

Njëkohësisht, kërkon nga Policia e Kosovës që të fillojë të mbaj trajnime të veçanta për krijimin e sigurisë së nevojshme dhe komunikimin me gazetarë.

Ndryshe, çdo tentim për pengim, njëkohësisht nënkupton tendencë të ndikimit mbi fjalën e lirë.