Qeveria e Zaevit e shurdhër akoma vazhdon me ‘izlezi.mk’, mungon fushata në gjuhën shqipe!

Shpërndaje

Agjencia e Lajmeve Zhurnal gjatë javës së kaluar alarmoi Qeverinë e Republikës së Maqedonisë lidhur me ueb faqen zyrtare të referendumit se e njejta figuron vetëm në gjuhën maqedonase dhe jo në atë shqipe. Por ueb faqja “izlezi.mk” nuk është azhuruar edhe gjatë kësaj jave dhe e njejta mbetet ashtu si ka qenë në fillim.

Me herët edhe stafi i portalit ALBAZONE ka shkruar një artikull në lidhje me fushatën e Referendumit në Maqedoni (SKANDALOZE/ Kampanja për Referendumin në Maqedoni vazhdon vetëm në gjuhën maqedone) që po zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, dhe kemi informacione se kryeminsistrit Zoran Zaev dhe zv. kryeministrit Bujar Osmanit iu është dërguar një ofertë, por ende ska asnjë përgjigje nga ana e tyre për ta blerë domenin edhe në gjuhën shqipe www.dil.mk

Agjencia e Lajmeve Zhurnal javën e kaluar kërkoi sqarim nga zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski i cili tha se kjo ueb faqe nuk është projekt i Qeverisë së Maqedonisë dhe se për të njejtën nuk ka përgjegjësi. Por të dhënat e MARNET tregojnë krejtësisht të kundërtën, aty figuron se ky domain është nën pronësi të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë e cila nuk e ka parë të arsyeshme që ueb faqja të figuron edhe në gjuhën shqipe ku qytetarët shqiptar do të informoheshin për gjitha detajet rreth referendumit dhe përfitimet nga antarësimi në NATO dhe BE.

Zëdhënësi i Qeverisë në po të njejtën ditë kur tha se kjo ueb faqe nuk është në pronësi të Qeverisë, për Zhurnal korigjoi deklaratën e tij dhe tha se ueb faqja në fjalë gjatë ditës apo të nesërmen do të azhurohet dhe do të jetë edhe në gjuhën shqipe. Por tanimë kaluan një javë dhe ueb faqja figuron vetëm në gjuhën maqedonase, që domethënë se fjalët e Boshnjakovskit që deklaroi për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal deri më tani kanë qenë “gënjeshtra” sepse e njejta nuk është në gjuhën shqipe.

Qeveria e Maqedonisë gjithashtu ka ndarë edhe mjete për të propaganduar për referendumin, por jo zyrtarisht mësohet se shumica e mjeteve janë ndarë vetëm për disa shoqata-organizata maqedonase dhe jo te ndonjë shqiptare, edhe pse arka shtetërore mbushet edhe nga taksapaguesit shqiptar.

Ende mbetet e pakuptimt kjo neglizhencë edhe nga partnerët shqiptar që janë pjesë e kabinetit të kryeministrit Zaev, duke pasur parasysh edhe anketat e fundit që janë bërë ku tregojnë se shqiptarët janë shumë të interesuar për refendumin që të dalin të votojnë, por që edhe dëshirojnë të marrin më shumë informata për referendumin në fjalë dhe kështu të ndërtojnë qëndrim final .

Kujtojmë se ishte pikërisht kryeministri Zaev ai i cili para zgjedhjeve promovonte konceptin qytetarë dhe barazinë dhe për këto ai fitoi afro 60 mijë vota shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Duke u bazuar në atë se “izlezi.mk” është vetëm në gjuhën maqedonase, mund të thuhet se Kryeministri Zaev po zhvillon fushatë një-etnike duke “diskriminuar” votuesit shqiptar edhe pse këta të fundit do ta përcaktojnë fatin e referendumit, sepse nga shqiptarët do të varet se a do të ketë sukses referendumi apo jo!

Ligji për përdorimin e gjuhëve tanimë është miratuar në Kuvendin e Maqedonisë dhe pritet vetëm firma e Presidentit Ivanov që të shpallet në Gazetën Zyrtare. Por edhe pse mungon vetëm kjo procedur që ligji të hynë në fuqi, Qeveria e Maqedonisë është e obliguar të përdorë gjuhën shqipe sepse ligji aktual e obligon atë.

Agjencia e Lajmeve Zhurnal përsëri do të kërkon përgjegjësi lidhur me këtë çështje nga Qeveria se pse nuk po tregohen racional që edhe qytetarëve shqiptar të u ofrojnë mundësi në gjuhën shqipe të informohen rreth referendumit që do të mbahet më 30 shtator.

Kryeministri Zaev gjatë fushatës thotë se çdo votë ka rëndësi kruciale, përfshirë edhe ato shqiptare. Por për shqiptarët me rëndësi kruciale është edhe gjuha shqipe që është edhe vlerë, vlerë të cilën përmes referendumit dëshirojnë ta përcjellin edhe në Europë duke votuar PRO vlerave europiane, përfshirë këtu edhe vlerën më të madhe të tyre GJUHËN SHQIPE.