“Zgjedhjet”, KSHZ-ja ka përfunduar të gjitha përgatitjet

Shpërndaje

Sonte në mesnatë fillon heshtja zgjedhore dhe deri të dielën në ora 19:00 kur mbyllet votimi, nuk duhet të ketë aktivitete propaganduese në terren dhe media. Gjatë ditës së shtunë duhet të votojnë rreth shtatë mijë qytetarë. Nga KSHZ, thonë se i kanë përfunduar të gjitha parapërgatitjet.

“Komisionet komunale gjatë ditës së nesërme do ta distribuojnë këtë material në Këshillat zgjedhor, gjithashtu do të votojnë edhe personat e sëmurë dhe të paaftë të cilët janë paraqitur në afatin e duhur kohor deri tek KKZ-të dhe kërkesat e të cilëve janë të miratuara. Do të votojnë gjithashtu edhe votuesit të cilët gjenden nëpër burgje”, deklaroi Admir Shabani, KSHZ.
Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, thonë se janë të gatshëm të sigurojë proces zgjedhor demokratik.

“MPB-ja është e gatshme në tërësi të sigurojë atmosferë të sigurt dhe të denjë në të cilën çdo qytetar i joni do të mund ta realizojë të drejtën e tij të votës. Jemi të përgatitur dhe të vendosur, pa kompromis ta parandalojmë çdo përpjekje për prishjen e procesit zgjedhor pavarësisht ku dhe nga kush”, tha Oliver Spasovski, ministër i brendshëm.

Edhe pse heshtja zgjedhore fillon sonte në mesnatë, sipas ekspertëve, de fakto heshtje nuk ka. Komunikologia Magdalena Mihajllovska, thotë se derisa media online do të vazhdojnë të publikojnë propagandë zgjedhore, financiarisht do të dëmtohen Televizionet dhe ata që do zbatojnë heshtjen zgjedhore.

“Për shkak se një pjesë më e madhe e mediave e respektojnë heshtjen zgjedhore i vendos në situatë jo të përshtatshme, pasi edhe pse bëhet fjalë për dy ditë, ata në një mënyrë, nuk munden më tej ta transmetojnë fushatën në eter, në shtyp dhe në mediat online, në atë mënyrë humbin mjete materiale, ndërsa nga ana tjetër de-fakto nuk ekziston heshtje zgjedhore”, deklaroi Magdalena Mihajllovska, komunikologe.

Komunikologja Mihajllovska thotë se për këto arsye, partitë politike dhe organizatat që merren me procesin zgjedhor duhet të analizojnë nëse heshtja parazgjedhore ka kuptim. Ajo shton se mund të merren shembuj edhe nga vendet e rajonit të cilat nuk kanë heshtje zgjedhore deri në mbylljen e votimit./alsat/