Familja Alija kërkon “një tullë dhe një dërrasë” për të siguruar kulm mbi kokë (Video)
Një familje katëranëtarëshe dhe dy fëmijë të sëmurë, një shtëpi me qera dhe të ardhura që mezi arrijnë që t’i mbulojnë shpenzimet elementare për jetë. Kjo është gjendja e familjes Alija që jeton në lagjen Serava të Shkupit. Nëna Metije e cila kujdeset për fëmijët e saj, me shumë dhimbje numëron sëmundjet me të cilat ballafaqohen djali 3 vjeçar dhe vajza vetëm 11 muajshe.
Metije Alija
“Momentalisht nuk punojm asgjë, unë i ruaj fëmijët, burri prej të shtunën që ka filluar me punë, me qera jetojmë, tashmë katër vite martesë dhe me qera. Nuk po kemi, nuk po mundemi, se prej ka, me rrogën e këtuhit çka do të bëjmë përpara, fëmijët i kam të sëmurë, djalin e kam me bo njëfarë operacioni me vezën, edhe vajzën e pata të sëmurë shkaku i pulësit shumë poshtë.”
Një tullë dhe një dërrasë janë pjesë e listës së kërkesave që kjo familje e kërkojnë nga njerëzit humanë. Një copë tokë e kanë në pronësi të tyre, por nuk kanë mundësi të ndërtojnë as edhe një dhomë për vete, as edhe një kulm nën të cilin do të ndjeheshin të sigurtë.
Metije Alija
“Tokën baba na e ka dhënë, nuk po mundemi, nuk po kemi mundësi, të paktën një dhomë të jetë e jona, tjetër nuk kisha dasht. Ta di që evladin e kam në strehim të sigurtë, nuk kisha dashtë më shumë…po ku po mbërrijmë ku spo mbërrijmë, më së shumëti nëpër doktore fëmijët i kam edhe barnat që ja kena ble, çka me pagu përpara. Djalin e kam me inhalim… Me të ardhurat që i kemi nuk po mundemi bash edhe si po kam dëshirë unë si nënë. Ai edhe po kërkon, por me qera besoj që më kupton. Unë thash nuk kisha dashtë asgjë më tepër, vetëm një dhomë, tokën na e ka dhënë elhamdulilah baba, asgjë nuk kisha dashtë më tepër, një cigëll, një dërrasë me ma pru dikush, inshaAllah Zoti e shpërblen me më të mirat e dynjasë.”
Kryefamiljari Nexhat tha se ai nuk rrin duarkryq, se po mundohet që për familjen e tij të sigurojë kafshatën e gojës, megjithatë me të ardhurat që i ka, nuk po mundet që fëmijëve t’u sigurojë një kulm mbi kohë.
Nexhat Alija
“Edhe unë apeloj deri tek të gjithë bëmirësit, për riza të Zotit, vetëm një kulm ta kem për këta evladë, vallahi po punoj, po me një rrogë nuk mbërrihet… ”
Fjalia e këtij burri nuk përfundoi pasi lotët zunë vendin e fjalëve dhe vaji e kaploi edhe bashkëshorten e cila gjatë gjithë kohës po mundohej që ta mbante veten. U larguam nga kjo familje, duke i lënë ata me shpresë që njerëzit humanë t’u zgjasin dorën e mëshirës dhe t’i tërheqin nga kjo humnerë e varfërisë. Ajnur Bafqari /SHENJA/