Ish-luftëtari i UÇK-së detyrohet t’ua ndërpresë fëmijëve shkollimin

Shpërndaje

Katër fëmijët e Fadil Mehmetit nga Shilovica e Vushtrrisë ka tre vite që nuk shkojnë në shkollë.

Babai i fëmijë tregon se atyre i është dashur të ndërpresin shkollimin, pasi shkolla më e afërt është rreth pesë kilometra dhe se rruga deri tek ajo i bie përmes malit, gjë që paraqet rrezik për ta.

“Çika e madhe në klasë të nëntë, djali në të shtatën, një tjetër në të pestën, tjetri në të dytën e tash edhe i vogli duhet të hyjë në klasë të parë. Në këtë vit normalisht të pestit duhet të hyjnë në shkollë por këtu s’ka shkollë hiç. Ka humbur shpresa, sepse kjo gjendje është prej tri vitesh. Prej tri vitesh këta nuk shkojnë në shkollë”, tha për RTV Dukagjinin, Fadil Mehmeti.

Mehmeti, i cili është ish-luftëtar i UÇK-së thotë se nga Komuna e Vushtrrisë, nuk po gjen përkrahje për hallin e tij. Ai shton  se ndihet i turpëruar që ka kontribuar në luftë, duke pasur parasysh se si po trajtohet.

“Transportin të bëjnë këtu dhe të vijnë t’i marrin. Ai që bën transportin duhet të vinte katër herë. Me pak ato para që i janë ofruar nuk ka kush që e bënë atë transport, pasi rruga është e keqe”, tha më tej Fadil Mehmeti.

Drejtori Komunal i Arsimit, Afrim Namani, tha se fëmijëve të Fadil Mehmetit i është ofruar një mundësi transporti, mirëpo ata janë shprehur të pakënaqur.

“Drejtori i Shkollës Fillore ‘Rrustem Hyseni’ në Skromë ka pranuar t’i transportojë falas ata fëmijë, mirëpo, ata duhet të udhëtojnë diku mbi një kilometër që ai t’i merr.  Mehmeti ankohet se nuk mund t’i lë vetëm fëmijët të dalin deri në atë pjesë të rrugës dhe ai kërkon që të subvencionohet”, tha Afrim Namani.

Po ashtu Namani mohoi deklaratën se Mehmetit i është ofruar një ndihmesë financiare prej rreth 130 euro nëse shpërngulen në qytet.

Pas gjithë kësaj Fadil Mehmeti, si mundësi  të vetme për të dalë nga kjo gjendje e sheh largimin nga vendi.  Ai thotë se është e rëndë për ta teksa i sheh fëmijët e tij të paintegruar edhe vet i papunë.