Kryeministri Zaev ende nuk është kthyer nga pushimi i shkurtër, çfarë po ndodhë?!
Kryeministri Zoran Zaev javën e kaluar mori një pushim të shkurtër pas mbylljes së zgjedhjeve presidenciale. Shërbimi për informim i Qeverisë theksoi se do të shfrytëzojë një pushim të shkurtër, por duke mos dhënë detaje se ku ka udhëtuar apo ku gjendet kryeministri.
Pas disa ditëve ai u shfaq përmes një videomesazhi duke uruar presidentin e ri Stevo Pendarovski, por nuk kanë munguar edhe porositë e lëshuara nga rrjeti i tij social facebook, përcjellë INA.
Megjithatë nuk kanë pushuar thashethemet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale. Gazetari kontrovers Zoran Bozhinovski përmes një postimi në facebook sot ka shkruar se kryeministri Zaev po mungon për shkak të problemeve serioze shëndetësore. Por zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski ka përgënjeshtruar spekulimet e lansuara nga Bozhinovski, duke theksuar se kryeministri Zaev është në gjendje të shkëlqyer shëndetësore. “Mungesa e tij për shkaqe private mbaron nesër dhe se të mërkurën ai kthehet në punë duke kryer detyrat e rregullta”, theksoi Boshnjakovski.
VMRO-DPMNE opozitare kritikoi dje mungesën e kryeministrit në seancën e inaugurimit të presidentit Pendarovski.