Ligji për përdorimin e flamujve në Maqedoni, tepër poshtërues për popullin shqiptar

Shpërndaje

MOHIMI I TË DREJTËS PËR PËRDORIMIN E LIRË TË FLAMURIT SHQIPTAR (me ligj ndalohet e drejta e përdorimit të tij në nivel shtetëror, e drejta e përdorimi në nivel lokal, në komunat ku shqiptarët nuk përbëjnë mbi 50% të popullsisë dhe, me ligj janë zvogëluar dimensionet e flamuri shqiptar për 1/3, në krahasim me flamurin shtetëror).

Nga Abdulla Mehmeti

Dy fjalë për flamurin tonë kombëtar

Flamuri shqiptar ka fushë të kuqe me shqiponjën e zezë dykrenore në mes.

Ky flamur është flamur i Shtetit Shqiptar, që nga shpallja e Pavarësisë më 1912 e deri më sot, dhe është flamur kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo që janë në botë. 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, ndër shqiptarët njihet edhe si Dita e flamurit tonë kombëtar.

Flamuri ynë kombëtar, simboli i identitetit dhe sovranitetit, përherë ndër shqiptarët është çmuar edhe si simbol i luftës për liri, i rezistencës së pareshtur ndaj pushtuesve dhe sunduesve shekullorë dhe është valëvitur krenar në të gjitha kryengritjet e betejat e përgjakshme për çlirim dhe bashkim kombëtar, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Pas pesë shekujve robëri nën sundimin e Perandorisë Osmane, në territorin e Maqedonisë së sotme, ky flamur u ngrit triumfalisht në Shkup, kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës dhe qytetin më të madh shqiptar të asaj kohe, më 20 gusht 1912, kur forcat kryengritëse shqiptare e çliruan këtë qytet, disa muaj para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, flamuri ynë kombëtar u përdor lirisht edhe nga shqiptarët në Maqedoni, të rreshtuar në të dyja palët e përfshira në luftë, edhe nga forcat partizane dhe nga forcat e rezistencës kombëtare.

Ndryshimi i pamjes së flamurit shqiptar sipas rrethanave të sundimit

Fatin e njëjtë, si në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare jashtë shtetit, flamuri ynë kombëtar e pësoi edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, kur mbi shqiponjën dykrenore, varësisht nga periudha e sundimit përgjatë historisë, u përdorën edhe simbole të tjera, të cilat shpeshherë nuk kanë qenë në përputhje me aspiratat shekullore të shqiptarëve për pavarësi kombëtare dhe sovranitet, siç ishin: ylli i Davidit, sëpatat e Liktorit dhe ylli pesëcepësh komunist.

Simboli që aktualisht qëndron në stemën e Republikës së Shqipërisë, përkrenarja e Skënderbeut, po ashtu përdoret mbi shqiponjën dykrenore të flamurit tonë kombëtar, në raste të veçanta e solemne, të përcaktuara sipas ligjit për përdorimin e tij.

Nga viti 1945, në trojet etnike shqiptare nën ish Jugosllavinë, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, pas demonstratave të vitit 1968, në Prishtinë, Tetovë dhe qytete të tjera shqiptare, përdorimi i lirë i flamurit tonë kombëtar u garantua me ligj, ndërsa më vonë edhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974.

Vlen të theksohet me këtë rast se, flamuri ynë kombëtar, i cili u përdor në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe vise të tjera shqiptare nën ish federatën jugosllave, identik si në Shqipëri, mbante yllin e kuq pesëcepësh komunist, por dallohej vetëm për nga dimensionet e tij. Përderisa në Republikën e Shqipërisë ai kishte dimensione 1,5 x 1 m, në Kosovë dhe vise të tjera, madhësia e tij ishte e barabartë me madhësinë e flamujve që përdornin republikat ish jugosllave, me dimensione prej 2 x 1 m. Me po këto dimensione, flamuri shqiptar u përdor gjatë kësaj kohe dhe në Maqedoni.

Përdorimi flamurit shqiptar në Maqedoni

Në frymën e këtyre ndryshimeve, përdorimi i flamurit kombëtar u lejua me ligj edhe në ish Republikën Socialiste të Maqedonisë, të cilin e solli Kuvendi i kësaj republike, më 13 nëntor 1973.

Me sjelljen Ligjin për përdorimin e flamujve, rregullohej çështja e përdorimit të tyre në këtë republikë ish jugosllave, pa dallim nga flamuri republikan (atë kohë republikat ishin njësi të federatës pa prerogativa shtetërore), si dhe të flamujve të kombësive, shqiptare dhe turke, si dhe grupeve etnike në këtë republikë.

Pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1991), çështja e përdorimit të flamurit shqiptar gjatë kohë mbeti e pazgjidhur, shpeshherë duke u ndaluar me vendime të posaçme politike. Ndërsa kjo çështje u politizua tej mase në momentin kur udhëheqësit e komunës së Gostivarit dhe të Komunës së Tetovë, me vendosjen e flamurit shqiptar dhe të flamurit të bashkësisë etnike turke, para se kjo çështje të rregullohej me ligj, i krijoi alibi pushtetit të ndërmerr masa të dhunshme, me çka ndodhi edhe demonstrata e njohur në Gostivar (1997), e cila përfundoi me bilanc shumë tragjik, tri viktima, shumë të plagosur e të burgosur, përfshirë edhe udhëheqësit e Komunës së Gostivarit dhe të Komunës së Tetovës.

Ligji për përdorimin e flamurit shqiptar në Maqedoni, i cenon të drejtat themelore qytetare e kombëtare

Në vitin 2005 u soll Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive (etnike) në Republikën e Maqedonisë, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve të të gjitha bashkësive etnike në këtë shtet, por pa theksuar në mënyrë të veçantë se për flamujt e cilave bashkësi etnike bëhet fjalë.

Për dallim nga ligji i vitit 1973, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve në nivel të kësaj ish republike jugosllave, si e flamurit republikan dhe e kombësive, me emërtim të saktë të tyre sipas përkatësisë etnike.

Me sjelljen e ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2005, jo që nuk u zgjidh në mënyrë të drejtë përdorimi i flamurit shqiptar, por edhe më tepër u përkeqësua mënyra e përdorimit të tij, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e tij, të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, më 18 korrik 2011.

Përderisa në nenin 6, alineja 1, të Ligjit për përdorimin e flamujve, i vitit 1973, thuhej:

,,Pjesëtarët e kombësisë shqiptare, turke dhe kombësive të tjera e grupeve etnike, dhe përfaqësuesit e kombeve të tjera të RSFJ, flamurin e kombësisë, grupit etnik, përkatësisht të republikës socialiste, mund ta përdorin lirisht në të gjitha rastet për të cilat është paraparë përdorimi i flamurit të RSM”.

Ndërsa, në lidhje me dimensionet e flamujve të kombësive, në radhë të parë të flamurit shqiptar, në nenin 8 të këtij ligji thuhej:

,,Dimensionet e të gjithë flamujve, gjatë përdorimit të njëkohshëm të tyre, patjetër duhet të jenë të barabarta”.

Për dallim nga këto përcaktime, me Ligjin për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, të vitit 2005, në asnjë rast nuk përmenden bashkësitë etnike, as asaj shqiptare, të cilave u njihet kjo e drejtë.

Për aq më tepër, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, në vitin 2011, u cenua rëndë e drejta e përdorimit të këtij flamuri në vendbanimet dhe komunave ku shqiptarët përbëjnë më pak se 50% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale(komunë).

Sipas neneve 2, 3, 4 dhe 5, të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2011, pas fjalës ,,pjesëtarët e bashkësisë”, u shtuan fjalët:

,,që janë më tepër se 50% e popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale”.

Ndërsa në nenin 6, thuhet: ,,Pas nenit 8 shtohet neni 8-a, i cili thotë:

„Neni 8-a

Flamuri i Republikës së Maqedonisë ngrihet me flamuj të tjerë në pajtim me ligjin dhe është me dimension më të madh nga flamujt tjerë për një të tretën.“

Shqiptarëve në Maqedoni, përveçse me këtë ligj u mohohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar në nivel të shtetit, kjo e drejtë u mohohet edhe në komunat ku nuk përbëjnë mbi 50% të popullsisë.

Po me këtë ligj, flamurit shqiptar, si edhe flamujve të bashkësive të tjera etnike, i janë zvogëluar dimensionet për 1/3 e tij, në të gjitha rastet e përdorimit të tij, e sidomos gjatë përdorimit përkrah flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë.