Kasami: Gjendje kaotike në ndërmarrjen për transport publik

Shpërndaje

Ai ka thënë se çështja e këshillit është zgjidhur dhe nuk është konkretizuar për shkak të situatës aktuale politike, por pa precizuar se me cilët parti ka marrëveshje për krijimin e shumicës në këshillin e Komunës së Tetovës

Urim HASIPI

Tetovë, 12 nëntor – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka nënvizuar se gjendja në Inspektoratin komunal është e mjerueshme. Mungojnë hapësira dhe numër i mjaftueshëm për të kryer detyrat që u ngarkohen atyre. Këtë gjendje ai e ka konstatuar pas një vizite që ka realizuar në këtë inspektorat, ku shtroi nevojën për një plan për të riaktivizuar në kryerjen e detyrave për të cilët paguhen inspektorët. Aktualisht në këtë inspektorat ka 34 të punësuar, por Kasami ka thënë se do shqyrtojë mundësinë në rritjen e kapaciteteve për të mbuluar tërë territorin e Komunës së Tetovës. “Fatkeqësisht po ballafaqohemi me një situatë të rëndë në të cilën ka funksionuar në të kaluarën Komuna e Tetovës, administrata dhe si ata kanë mundur që të kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve. Sot jemi dëshmitarë se Komuna e Tetovës nuk është kujdesur për të punësuarit dhe jo më për qytetarët. Bashkë me përgjegjësit, konstatuam se kjo gjendje vërtetë është kritike dhe duhen të merren masa urgjente dhe në kuadër të kësaj ne do të bëjmë një plan për të përmirësuar këto kushte dhe se si inspektorati edhe në aspektin e hapësirave edhe në aspektin e sistematizimit të njerëzve t’i ketë kushtet dhe më pas të del të bëjë detyrën si duhet”, deklaroi Kasami.

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami pas ndërprerjes së punëve infrastrukturore që janë nisur nga ish kryetarja, ka theksuar se ka angazhuar një komision, i cili së bashku me sektorin për veprimtari publike, që të dalin në teren dhe janë duke përgatitur një raport për të gjitha projektet. Sipas tij, janë rreth 20 projekte me një vlerë të madhe. “Unë sot vetëm mund të them se ato mjete nuk kanë qenë të siguruara në buxhet dhe do ta risin borxhin e komunës për atë vlerë sa janë ato projekte. Nga e hëna do të ketë një informatë për të gjitha punët si në aspektin teknik, por edhe në aspektin formal-juridik se a kanë qenë të realizuara në bazë të ligjit dhe deri ku ka arritur faza e realizimit. Aty ku ka lëshime të rënda në aspektin juridik apo në aspektin teknik do të përmirësohen dhe me urgjencë do të vazhdojnë të realizohen”, sqaroi Kasami.

Në ndërkohë, momentalisht në Tetovë është ndërprerë së funksionuari parkimi zonal, kurse Kasami ka nënvizuar se është duke pritur një raport nga ushtruesi i detyrës për të parë se si do të veprohet më tutje. Sa i përket ndërmarrjes publike për transport në Tetovë, kreu i Komunës së Tetovës ka theksuar se gjendja është kaotike. “Ndërmarrja publike për transport publik në Tetovë juridikisht është e themeluar kurse realisht nuk ka asnjë të punësuar dhe të gjitha veprimet bëhen në kundërshtim me ligjet edhe aty pres që të më jep raport drejtori i cili nuk e din se në cilën pozitë është sepse nuk është i punësuar aty, por është i punësuar në komunë, të gjithë të punësuarit janë në komunë dhe funksionojnë në kuadër të ndërmarrjes, por nuk dua të jap më shumë detaje sepse pres raportin e detajuar dhe do të informoj opinionin”, theksoi Kasami.

Ai ka thënë se çështja e këshillit është zgjidhur dhe nuk është konkretizuar për shkak të situatës aktuale politike, por pa precizuar se me cilët parti ka marrëveshje për krijimin e shumicës në këshillin e Komunës së Tetovës.