Sot prite ulje të çmimeve të derivateve të naftës

Shpërndaje

Pas përllogaritjeve disa orëshe, Komisioni Rregullator i Energjetikës vendosi se ka vend për korrigjim të çmimeve të derivateve. Ndryshimi i çmimeve të naftës dhe benzinës do të ndodhë sonte dhe me gjasë do të pasohet me ulje të çmimit me pakicë. Çmimet e reja do të vlejnë nga nesër.

“Janë plotësuar parakushtet, KRRE-ja do të marrë vendim të ri për çmimin e derivateve të naftës. Pas seancës do të shpallet vendimi, i cili hyn në fuqi në mesnatë”, njoftojnë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.

Në bursën e Londrës sot një fuçi naftë shitej për 100 dollarë, që është rënie prej 30 dollarësh krahasuar me javën e kaluar. Edhe në tregun amerikan të naftës çmimi është ulur dhe një fuçi naftë shitet për 97 dollarë. Kur para krizës në bursat botërore një fuçi naftë shitej për 100 dollarë, në vend derivatet kushtonin 70 denarë për litër. Rregullatorët thonë se tani nuk duhet pritur ulje kaq drastike, sepse çmimi përcaktohet pas analizës së lëvizjes së çmimeve në tregjet botërore në pesë ditët e fundit. Megjithatë, informacionet jozyrtare që morëm thonë se deri në fund të javës nuk presim ulje më të dukshme të çmimeve të naftës dhe benzinës. Një litër naftë në periudhën e kaluar ka arritur çmimin prej 97 denarë, ndërsa një litër benzinë është shitur për 95 denarë./Alsat.mk