Mehmeti: Kryetari i shtetit nuk duhet të futet në hipoteka të partive politike

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Shumica e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, për shkak se nuk lexojnë sa duhet dhe çka duhet, nuk janë të vëmendshëm dhe të gatshëm të mësojnë nga njerëzit e ditur dhe të sprovuar, zakonisht paraqiten tepër euforikë dhe naivë, ashtu siç secili sundues i tyre do të kishte dashur të jenë, jo siç u diktojnë rrethanat e reja dhe vojat jetike për zhvillimin normal të shoqërisë shqiptare në këtë vend.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit presidenciale nuk mbeti gati asnjë lider partie, i pozitës dhe opozitës, politikan, analist, gazetar dhe opinionist, pa e shprehur euforinë e tij, entuziazmin dhe naivitetin në lidhje me masën e votuesve shqiptarë, numrin e votave shqiptare të fituara nga kandidati për president shteti, i cili doli fitues në këto zgjedhje, duke i llogaritut e përllogaritur këto vota të ndara në bazë të përkatësisë partiake, jo sipas bindjeve individuale të votuesve, të cilët realisht përbëjnë më tepër se gjysmën e këtyre votave të qytetarëve shqiptarë.

Por, askush nuk tha se, jo të gjithë qytetarët shqiptarë në këtë shtet janë anëtarë dhe simpatizues të këtyre partive politike, dhe se votuesit mund të dirigjohen si dele nga drejtuesit e tyre; se çdo qytetar e gëzon të drejtën e votës së lirë dhe kryesisht vendos në bazë të bindjeve të veta, si për çështje të tjera edhe për zgjedhjen e kryetarit të shtetit ku ata jetojnë.

Demokracitë e përparuara nuk funksionojnë siç funksionojnë ndër ne disa parti politike klienteliste, komerciale dhe banditeske, ku secili qytetar apo votues e shfrytëzon mundësinë e imponimit, e keqpërdor të drejtën e votës, e shet atë apo e investon me paramendim të keq, me qëllime dhe prapavijë për realizimin e interesave personale dhe familjare, grupore dhe klanore, për punësim, emërim në ndonjë funksion në pushtet, fitim të ndonjë tenderi, apo privilegj tjetër që mund ta përfitojë me patëdrejtë.

Kjo nuk funksionon dhe nuk duhet të funksionojë në shoqëritë dhe shtetet me demokraci reale, prandaj edhe nuk ka pse të funksionojë në Maqedoninë Veriore, ku shumica e qytetarëve janë deklaruar paraprakisht se i përkrahin reformat e filluara, orientimin evropian të shtetit, integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, jo pse janë të kënaqur me pushtetin aktual dhe se duhet ta ndihmojnë ndonjërën nga partitë politike, apo koalicionin i partive ta mbajë pushtetin, apo një individ i caktuar, qoftë kandidat për kryetar shteti.

Në këtë aspekt, deklarata e kryetarit të sapozgjedhur të shtetit, e dhënë përmes medieve, se nuk e ndjen veten borxhli para askujt për shkak të votave, nuk është naive dhe e rastësishme, por është thënë në kohën e duhur, kur qytetarët e vendit presin ndryshime në punën, qasjen ndaj problemeve me të cilat përballen e qytetarët dhe pushteti i këtij shteti.

Kompetencat, obligimet dhe detyrat e kryetarit të shtetit janë të përcaktuara qartë me kushtetutë dhe ligj, pse atëherë duhet t’u krijohet hapësirë e panevojshme që secila parti që e ka ndihmuar këtë proces të jetë e privilegjuar, apo në rastin më të veçantë ta diktojë politikën, punën dhe qasjen e presidentit të ri të shtetit ndaj çështjeve me interes të përgjithshëm për shtetin dhe të qytetarët e tij, shumica prej të cilëve as nuk janë anëtarë të partive politike?!

Paramendoni si do të dukej skena politike në këtë shtet, nëse kryetari i shtetit pajtohet me deklaratat e secilit drejtues apo funksionar të partive politike, të cilët duan të mbeten edhe më tej në pushtet, e që kanë qenë pjesë aktive dhe në pushtetin e mëparshëm, të cilin të gjithë e kritikojnë si të dështuar, jodemokratik, të zhytur në korrupsion dhe krime, nga qeverisja e keqe e të cilit të gjithë qytetarët i vuajnë pasojat njësoj, sidomos ata që nuk kanë qenë anëtarë dhe përkrahës së partive politike dhe përkrahës të atij pushteti!

Ngjashëm janë të pakuptimta edhe deklaratat e drejtuesve të partive opozitare të shqiptarëve, të cilët kontributin e tyre, votat e anëtarëve dhe simpatizuesve të tyre mundohen t’i kapitalizojnë pas këtyre zgjedhjeve presidenciale, por që realisht nuk i kanë as numrat e përafërt në Parlament për t’u bërë pjesë e qeverisë aktuale, e cila nuk mund të funksionojë sipas dëshirave muzikore, por sipas rregullave të përcaktuara me kushtetutë dhe ligje, për aq më tepër nëse merret parasysh që në zgjedhjet e fundit presidenciale kandidati i sapozgjedhur për kryetar shteti nuk ka fituar gati në asnjë komunë ku shumicën e banorëve, të votuesve, e përbëjnë qytetarët me përkatësi etnike maqedonase.

Këto fakte i din mirë edhe pushteti i këtij vendi, opinioni i gjerë dhe faktori ndërkombëtar, por deri në krijimin e mundësive dhe shansave të reja për një përbërje ndryshe të pushtetit, të Parlamentit dhe të Qeverisë, do të duhet edhe shumë punë e angazhim, sidomos nga blloku i partive politike opozitare të shqiptarëve, jo eufori, ngutje dhe përplasje pa nevojë në skenën politike të këtij shteti me demokraci të brishtë.