‘Politika e mirë’, për 18 vjet, 61 mijë më pak nxënës në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Për 18 vjet për 61 mijë është ulur numri i nxënësve në shkollat fillore në Maqedoni. Këto rezultate janë publikuar nga Enti Shtetëror për Statistika.

Në vitin shkollor 2000/2001 në shkollat e rregullta fillore janë regjistruar 249.375 nxënës, ndërsa këtë vit shkollor janë regjistruar 188.102 filloristë, që do të thotë 61.279 nxënës më pak.

“Numri është real. Nëse vetëm në vitin shkollor 2017/2018 numri është ulur për 4 mijë, kjo është matematike”, thotë Donço Gerasimovski, ish-drejtor në Entit Shtetëror për Statistika.

Ai thotë se arsyet janë të shumta. Nataliteti me vite po bie – lindin më pak fëmijë dhe kjo ndikon në dallimin e numrave. Gjithsesi sipas tij, ky nuk është faktori më ndikues.

“Shpërngulja e bën të veten. Për shembull, këtë vit kanë lindur 20 mijë fëmijë, ndërsa pas gjashtë vjetëve regjistrohen 17.500. Ku janë të tjerët?”, tha Gerasimovski.

Ai tha se ESHS bën evidenca të ndryshme, në të cilat numri i nxënësve në fillim dhe në fund të vitit shkollor dallimet janë të mëdha.

Sipas tij, numri i uljes së nxënësve tregon për përqindjen e shpërnguljes nga Maqedonia.