Qemali dhe lokja 80 vjeçare nga Lagja e Trimave rrëfejnë tmerrin nga luftimet e para 4 viteve (Video)
Shumica e shtëpive janë të reja, por kujtimet e banorëve janë të trishta. 9 dhe 10 maji në Lagjen e Trimave në Kumanovë gjithmonë rikthen skenat e luftimeve të tmerrshme të vitit 2015.
Qemal Azemi, atë ditë ndodhej bashkë me familjarët e tij në shtëpi dhe rrëfen se si mezi arritën të shpëtojnë nga plumbat dhe dolën të gjallë, raporton gazeta Lajm.
Sot, katër vite më vonë, Qemali thotë se përveç traumave dhe dëmit psikologjik, familja e tij është dëmtuar edhe materialisht.
“Nga shteti kemi marrë vetëm 15 mijë euro për tre shtëpi të shkatërruara nga luftimet”, shprehet Qemali teksa kujton atë çfarë ngjau para katër viteve.
“Këtu kemi qenë 13 anëtarë të familjes brenda prej kur kanë filluar luftimet deri në ora 6:15 në mbrëmje. Pastaj deri në ora 10:00 kemi pritur në oborrin e fqinjit bashkë me policinë maqedonase. Mund të them se nuk mund ta harrojnë gjithë atë çfarë ndodhi. Unë jam i verbër, atë që më kanë treguar se shtëpia ime po digjet dhe gjithë rrezikun që na kanasoje nuk mund ta harroj”, rrefeu Qemal Azemi para kamerës së gazetës Lajm.
Qemali thotë gjatë kompenzimit të dëmëve, shteti nuk mori parasysh as faktin që ai dhe vëllezërit e tij kanë probleme me shikimin. “Mos të ishin njerëzit human dhe mërgimtarët, vështirë se do të kishim mbetur në rrugë dhe nuk do t’i kishim as shtëpitë që na i shkatërruar brenda ditës” thotë ai para kamerës së gazetës Lajm.
“Prej mërgimtarëve shqiptarë jemi të kënaqur kurse nga shteti jo. Prej shtetit nuk jam i kënaqur sepse me 1 milion denar ma kanë kompenzuar dëmin për 3 shtëpi të shkatërruara. S’jam i kënaqur nga vlerësimi i shtetit”, u shpreh Qemal Azemi.
Krismat dhe shpërthimet e fuqishme në orët e para të mëngjesit të 9 majit, kishin trazuar nga gjumi, edhe këtë loke 80 vjecare. Ajo është nëna e Besnik Ajdinit, i cili kishte vuajtur 30 muaj burg pa faj për ngjarjet në lagjen e Trimave. Ndonëse i dëgjonte luftimet e ashpra që zhvilloheshin, ajo thotë se nuk mund të besonte se diçka e tillë po ndodhte pranë shtëpisë së saj.
“Kur filluan krimat e mëdha…ne kemi pas një dritare të vogël prej ku u fut një plumb dhe përfundoi në murin këtu. Në atë momenti erdhi djali Besniku nga dhoma tjetër na mori dhe na largoi sepse mund të na vrisnin të gjithëve këtu. Kemi qenë shumë të frikësuar sa ka zgjatur lufta. Shtëpia dridhej dhe filluan të çahen muret, kishte rrezik të na zinte brenda” tha nëna e Besnik Ajdinit.
Nga luftimet e para katër viteve, shtëpia e kësaj loke u shkatërrua por shteti nuk ndihmoi fare për rindërtimin e saj. Shtëpinë njëkatëshe ku jetojnë sot e ndërtuan me ndihmat që morën nga njerëzit human dhe nga mërgimtarët shqiptarët.
“Ndihmat na kanë ardh nga jashtë nga 50 euro, 100 euro. Ne i kemi mbledhur paratë dhe e kemi ndërtuar shtëpinë. Shteti neve nuk ka dha para, sikur të tjerëve” u shpresh lokja 80 vjeçare.
Gjatë luftimeve dy ditore të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 jetën e kanë humbur 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa 37 të tjerë janë dorëzuar. Tetë prej të tyre në nëntor të vitit 2017 u dënuan me burg të përjetshëm. Për 13 të tjerë, Gjykata Penale shqiptoi dënime me 40 vjet burg. Gjashtë nga të akuzuarit u dënuan me nga 20 vjet heqe lirie, njëri 18 vite, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13, si dhe dy të tjerë me nga 12 vjet burg./Gazeta Lajm