Si kurrë më parë, tre shqiptarë në finalet e mëdha europiane

Shpërndaje

Futbolli kthehet në shtëpi, aty ku ka lindur. Të paktën për këtë sezon, kështu mund të përmblidhet ajo që ngjau në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës. Dy finale angleze respektive, Liverpool-Tottenham dhe Arsenal-Chelsea, kanë eklipsuar mbarë kontinentin në këtë sport. Edhe më optimisti vështitë të ketë parashikuar një përfundim të tillë të dy kompeticioneve më të rëndësishme për klubet europiane. Ndoshta, ndoshta, vetëm Liverpool-i mund të mos konsiderohet “autsajder”, sepse ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Premier League, ishte finalist i Champions-it edhe edicionin e kaluar.

Tashmë është e sigurt: dy trofetë e shumëlakmuar do të mbeten në Angli. Se cilat skuadra do t’i fitojnë, mbetet ta vendosë fusha e lojës, në “Wanda Metropolitanë” dhe Baku. Interesant është fakti se në këto dy finale të mëdha angleze do të ketë edhe një pjesë “shqiptare”. Jo pak, port re futbollistë me “rrënjë” nga kombi ynë janë pjesë e dy skuadrave finaliste: Xherdan Shaqiri te Liverpool; Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi tek Arsenal.

I pari, 27 vjeç, e ka shijuar këtë “stacion” edhe me Bayern Munich, madje duke e fituar “kupën veshëgjatë”. Dy të tjerët, “topçinj”, e kanë për herë të parë. Prandaj, sytë e shqiptarëve do të jenë në Madrid, më 1 qershor, dhe në Baku, më 29 maj, duke bërë tifo për gjakun e tyre. Shaqiri ka luajtur 24 ndeshje (1058 minuta) në këtë sezon, në Premier League, me “Reds”, duke shënuar edhe 6 gola. Në Champions ka pasur aktivizim më të paktë, 4 ndeshje (176 minuta), pa e gjetur dot rrugën e rrjetës.

Granit Xhaka ka qenë titullar dhe pikë referimi tek Arsenali. Në Premier League, ai ka luajtur 29 ndeshje (2502 minuta), duke shënuar edhe 4 gola. Në Ligën e Europës, 26-vjeçari regjistron 8 ndeshje (670 minuta). Më i kritikuari ka qenë Shkodran Mustafi, që ka luajtur 30 ndeshje (2527 minuta) me londinezët e “Emirates”. Mbrojtësi 27-vjeçar ka shënuar edhe dy gola në kampionatin anglez. Në garën europiane, ku tashmë është finalist, ai ka regjistruar 5 ndeshje (469 minuta) dhe ka shënuar 1 gol.