Maqedoni

Tensione në Qeveri, BDI e pakënaqur nga LSDM, “mollë sherri” emërimi i Musliut për shef të zbulimit?!

Shpërndaje

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se emërimi i Erolld Muslit si Drejtor i Agjencisë për Zbulim nuk do të shkaktojë përçarje aq të thellë sa të çojë në prishje të koalicionit, por megjithatë thonë se mund të ndikojë në partneritetin LSDM-BDI.

Mospërfillja e ‘shqetësimeve’ të BDI-së për emërimin e drejtorit të ri, sipas analisti Naser Zyberi është indikacion se ideja e presidentit konsensual nuk është çështje e mirë përpunuar mes partnerëve të koalicionit.

“Emërimi pa konsultim i një njeriu të një organi kyç siç është Agjencinë për Zbulim flet për atë se nuk ka të bëjë me presidentin konsensual. Presidenti konsensual nënkupton dy aspekte, edhe konsensualitet në mënyrën e përcaktimit të kandidatit që do të ushtrojë funksionin por nënkupton edhe bashkëpunim në funksionin e presidentit më tutje me qeverinë dhe subjektet që e kanë mbështetur në zgjedhje”, u shpreh Naser Ziberi, analist.

Ziberi mendon se Presidenti e ka për obligim t’i jep sqarime BDI-së, mbështetja e së cilës, sipas tij ishte vendimtare për fitoren e Pendarovskit. Megjithatë si Naser Ziberi, poashtu edhe njohësi i çështjeve politike Petar Arsovski nuk mendojnë se Pendarovski do të tërhiqet nga vendimi i tij për emërimin e Musliut. Arsovski pret tensione, por jo edhe eskalim deri në prishje koaliconit.

“Gjithsesi se do të çojë në zmadhim të tensioneve, infeksion brenda në koalicion. Nuk besoj se ky incident mund të eskalojë deri aty sa të prishet koalicioni, sepse kjo do të ishte çështje e strategjisë politike të Zaevit dhe Ahmetit, dhe jo për zgjidhje individuale kadrovike, por ne në bazë nuk e dimë se si ka qenë marrëveshja e koalicionit kur BDI i ndihmoi LSDM-së për zgjedhjen e Pendarovskit, ndoshta kjo gjë nuk u është premtuar”, tha Petar Arsovski, analist.

Erolld Musliu u emërua Drejtor i Agjencisë për Zbulim nga Presidenti i ri Stevo Pendarovski. Një ditë më vonë nga BDI shprehën shqetësimet e tyre për këtë emërim, duke e lidhur emrin e Musliut me ngjarjet e Kumanovës në 2015-tën, ndërsa më herët në 2011 e kishin akuzuar atë edhe si falsifikator dosjesh. Të gjitha këto akuza Musliu i hedhë poshtë, ndërsa dje i tha TV21 se ai është anashkaluar nga drejtori në procesin e përmbledhjes së informacioneve për “Lagjen e Trimave”. Edhe nga Vila Vodno, thonë se Musliun e kanë zgjedhur si kandidatin më profesioniѕ ndër konkurrentët, ndërsa siç thonë nga Presidenca, i njëjti me sy të mirë është parë edhe nga shërbimet e shteteve aleate.

Përgatiti: Besir Arifi/TV21