Vazhdojnë tubimet e palestinezëve mes Gazës dhe Izraelit
Protestuesit palestinezë sot u bashkuan përgjatë ‘tampon zonës’ mes Gazës dhe Izraelit për të marrë pjesë në tubimet e vazhdueshme kundër pushtimit izraelit prej dekadash, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas Autoritetit Kombëtar të Gazës për Ndërprerjen e Rrethimit, tubimi i sotëm po mbahet nën sloganin “Të bashkuar kundër marrëveshjes së shekullit”, një referencë ndaj planit të paqes të SHBA-ve në Washington, kushtet e të cilës ende nuk janë bërë publike.
Një korrespondent i AA-së në vendngjarje tha se qindra protestues që mbanin flamuj palestinezë tashmë kishin arritur pranë ‘tampon zonës’.
Tubimi i sotëm vjen në prag të përvejtorit të 71 të Nagba-s Palestineze (Katastrofa).
Dita e Nagba-s, e cila shënohet më 15 maj çdo vit, përkujton dëbimin e vitit 1948 të qindra mijëra palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Palestinën historike për t’i hapur rrugë shtetit të ri të Izraelit.
Që nga fillimi i tubimeve të Gazës në muajin mars të vitit të kaluar, afër 270 protestues janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga trupat izraelite të vendosura pranë ‘tampon zonës’.
Protestuesit po ashtu kërkojnë fundin e bllokadës izraelite 12-vjeçare të Rripit të Gazës, e cila ka shkatërruar ekonominë e enklavës bregdetare dhe ka privuar nga shumë mallra themelore rreth 2 milionë banorë të saj.