Maqedoni

“Zgjedhjet Presidenciale”, 1 milion e 808 mijë qytetarë kanë të drejtë vote

Shpërndaje

Gjithsej 1.808.131 qytetar kanë të drejtë e votës në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Prej tyre dje kanë votuar të burgosurit, të sëmurët edhe diaspora. Prej 1640 të burgosurve kanë votuar 74,13%. Në 32 përfaqësitë konsullore diplomatike, nga 1781 votues të paraqitur kanë dalë të votojnë 46,16%. Gjatë ditës së djeshme, nëpër shtëpitë e tyre kanë votuar edhe 4407 qytetarë të sëmurë dhe të pafuqishëm. Më shumë se 700 mijë qytetarë do të duhet ta shfrytëzojnë të drejtën për të zgjedhur kreun e shtetit, me qëllim që procesi të konsiderohet i suksesshëm sa i takon dispozitës kushtetues për censusin.

Numri i votuesve është i njëjtë, 1 milion e 808 mijë 131 votues. Numri i nevojshëm për censusin në rrethin e dytë është 40% ose 723 mijë 252 votues, të cilët duhet të dalin për t’u plotësuar censusi, që të jetë i sukseshëm rrethi i dytë i këtyre zgjedhjeve. Unë shpresoj se do të përfundojmë me sukses, do të arrihet censusi dhe do të kemi president të shtetit.- theksoi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së

Shqetësimi për dështimin e mundshëm të dispozitës mbi censusin ka ekzistuar gjatë gjithë fushatës por u shtua pas rrethit të parë të zgjedhjeve kur të drejtën e votës e shfrytëzuan pak më shumë se 41% e votuesve të regjistruar në listë.

Në rast të dështimit të plotësimit të këtij kriteri kushtetues atëherë do të duhet të mendohet në dy drejtime; ose brenda afatit kushtetues që do të thotë brenda 40 ditëve të bëhet organizimi i serishëm i zgjedhjeve me rrezik edhe më të madh se mund të dështojë përsëri mos të ketë zgjedhje të suksesshme ose t’i qasem ndryshimeve kushtetuese me të cilat do të ndryshojë ose modeli i zgjedhjes ose të ulet ose hiqet fare pragu i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.”- u shpreh Naser Ziberi, jurist

Në rast të dështimit, kreu i Kuvendit përkohësisht ushtron kompetencat e presidentit deri në realizimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Deri sa e ushtron funksionin e kreut të Kuvendit dhe njëkohësisht Presidentit të Republikës, kryetari i Kuvendit merr pjesë në punën e Kuvendit, i drejton seancat, organizon dhe cakton seanca por nuk ka të drejtë për të vendosur, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në sjelljen e vendimeve. Kur Kushtetuta parashikon që kryeparlamentari zëvendëson presidentin e vendit, ai e zëvendëson në gjithçka.”- tha Temelko Risteski, profesor

Presidenti në largim Gjorge Ivanov ka mandat deri më 12 maj. Ai u rizgjodh për një mandat të dytë në vitin 2014. Zgjedhjet e 21 prillit dhe 5 majit janë të gjashtat për zgjedhjen e Presidentit, komandantit suprem të forcave të armatosura./Alsat/