Anulohet data e zgjedhjeve lokale në Shqipëri

Shpërndaje

Presidenti, Ilir Meta shfuqizoi të shtunën (08.06) dekretin për datën e zgjedhjeve të caktuar më 30 qershor. Në një njoftim zyrtar të presidencës theksohet, se në këto kushte nuk mund të zhvillohen zgjedhje lokale.

Në një kohë që në Tiranë kishte filluar, protesta e tetë kombëtare e opozitës së bashkuar, u bë publik njoftimi zyrtar i presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore.

Presidenti, Ilir Meta në deklaratën për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve, thekson se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese e gjithëpërfshirëse. Ai shprehu shqetësimin e thellë për situatën e krijuar „si pasojë e mosreflektimit të asnjërës palë” dhe kërkoi rivendosjen urgjente të dialogut.

Kryeministri, Edi Rama reagoi menjëherë nga qyteti i Beratit, ku ndodhej për fushatë zgjedhore duke e quajtur gabim vendimin e presidentit. “Një përpjekje e dëshpëruar nga njerëz të dëshpëruar”.