“Bomba” të reja për BDI-në nga “El Cheka”, aktivizohen portale e faqe në Facebook

Shpërndaje

As Facebooku e as portalet në të cilat po publikohen bisedat e përgjuara për funksionarët e lartë të BDI-së nuk kanë të ndalur. Për çdo ditë po publikohen biseda me përmbajtje të ndryshme politike, thashetheme e erotike, ku protagonistë janë Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, por dëgjohen edhe zërat e Ermira Mehmetit, Teuta Arifit, Blerim Bexhetit dhe disa funksionarëve të tjerë, përfshirë edhe ato të VMRO DPMNE-së që gjatë periudhës kur janë bërë përgjimet, kanë qenë në Qeveri me BDI-në.

Bisedat e përgjuara të Sheqerim Ahmetit, të njohur në Fejsbuk si “El Cheka” për funksionarët e lartë të BDI-së, po shpërndahen edhe nga portale vendore edhe nga të jashtme. Kryesisht portalet janë nga Kosova dhe Amerika, por ka edhe vende të treja të botës.

Personat publik për të cilët funksionarët e lartë të BDI-së përgojojnë në bisedat e përgjuara, vazhdimisht po dalin me reagime nëpër rrjetet sociale duke ia rikujtuar BDI-së se do t’i vijë fundi i pushtetit.

Në profilin e “El Chekas” që e menaxhon personi me emrin Dan Dervishi, ka vazhdimisht edhe statuse dhe mesazhe publike drejt funksionarëve të BDI-së, me paralajmërime për qindra biseda të reja./SHENJA/