“Bombat”, ASH: Zaevi po i kursen zyrtarët e BDI-së që e kanë shkelur ligjin
Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një kumtese ka reaguar në lidhje me përgjimet e fundit të publikuara nga “El Cheka” në Fejsbuk, duke akuzuar kryeministrin Zoran Zaev se ai po i kursen zyrtarët e BDI-së nga përndjekja penale.
“Është e pakuptueshme dhe jonormale heshtja e kryeministrit Zoran Zaev, i cili, ashtu siç dikur i kurseu zyrtarët e BDI-së, këtë qëndrim po e përsërit duke treguar indiferencë ndaj përgjimeve të reja, në vend që të krijojë klimë dhe kushte për ndjekje penale për të gjithë ata zyrtarë që e kanë shkelur ligjin, dhe Kushtetutën e vendit”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ata ua bëjnë “me dije” gjithë qytetarëve se nuk ka datë për bisedime me BE-në, e as integrim në BE, sepse, sipas tyre, kjo Qeveri që i amniston të inkriminuarit në të këtilla skandale, e mban peng gjithë perspektivën euroatlantike të qytetarëve të saj.
“Ia kujtojmë Kryeministrit Zaev se pa drejtësi nuk ka ardhmëri dhe barazi për të gjithë, prandaj sa më parë le ta reformojë mënyrën e qeverisjes dhe ta luftojë krimin e organizuar para se Qeveria të reformohet nga vota e popullit”, thonë nga ASH.
Ata u bëjnë thirrje institucioneve të Drejtësisë, siç është edhe Prokuroria Speciale Publike, që sa më parë t’i marrë në shqyrtim këto përgjime, të verifikojë autenticitetin e tyre, dhe sa më parë të hapë procedura hetimore për zyrtarët e BDI-së, të cilët, sipas tyre, e kanë shkelur ligjin.
“Shqiptarët gjatë gjithë kësaj periudhe kanë pritur që këta zyrtarë të BDI-së së paku të pranojnë përgjegjësinë morale me dorëheqje nga pozitat e tyre partiake dhe institucionale”, shtojnë nga ASH.
Ndryshe, një profil në rrjetin social Fejsbuk me emrin “El Cheka”, ka një muaj që po shpërndan disa materiale të përgjuara apo të ashtuquajtura “bomba”, të cilat datojnë nga periudha 2008-2015-të, periudhë në të cilën Policia Sekrete përgjoi ilegalisht mijëra qytetarë dhe më pas një pjesë të atyre bisedave i publikoi ish lideri i opozitës Zoran Zaev. Në këto biseda të përgjuara dëgjohen funksionarët e BDI-së duke folur mes vete, por ka biseda edhe mes tyre dhe funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, me të cilët asokohe ishin në pushtet.
Me Marrëveshjen e Përzhinës në vitin 2015-të, u formua Prokuroria Speciale, e cila mori për detyrë t’i hetojë rastet të cilat dolën nga përgjimet e paligjshme nga viti 2008-të deri në vitin 2015-të, të cilat biseda i publikonte asokohe Zaev. Zaev tha se i ka dorëzuar të gjitha përgjimet që i posedonte dhe pas formimit të PSP-së, këto materiale u ndalua me ligj që të publikohen.