MaqedoniOpinione

El Cheka ua prishi “El Doradon”

Shpërndaje

Shkruan: Politikologu Driton Nebiu

“Të gjitha veprat varen prej qëllimit” , mes tjerash kishte deklaruar nga foltorja i dërguari i Allahut Muhamedi a.s. “Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij” thuhet mes tjerash në vargun e 11 të kapitullit 34 të Biblës. “Tetovarët janë kështu, Kumanovarëve ua bëjmë ashtu”, “Struga nuk bën, po as dhe Gostivari”, “Nuk bën Ramazani po as edhe Bajrami”, “Shqiptarët nga Alaska po dhe nga Afrika” e shumë të tjera, po thonë Aliu e Musa.
Për dallim nga e para dhe e dyta që na udhëzojnë, kjo e treta, e cila nuk është as për së afërmi me vlerë sa dy të parat, me të gjitha të bëmat e dyshës “politike” vetëm na irritojnë, por ja që nuk thuhet kot: “Çka është marrja për rezilin”?! Sot disa vite pasi që patëm rastin të dëgjojmë “bombat” e liderit të atëhershëm opozitar, e tanimë kryeministrit të vendit, të gjithë ne para vetes ende e kemi dilemën, a mundet vendi të hecë përpara, përderisa njëra pjesë e gjithë asaj të zeze mbi 10 vjeçare ende është pjesë e qeverisjes. Athua ku ka drejtësi e qetësi, përderisa të pafytyrët, injorantët, makrot e të korruptuarit thirren se përfaqësojnë popullin, të cilin kur flasin mes vete e nënçmojnë, ofendojnë, përqeshin e tradhëtojnë? Jo më kot, sot kemi edhe përgjigjen negative nga Berlini. Nuk duan ata në shoqërinë e tyre prezencën e strukturave kriminogjene, pjesërisht të verifikuar në procese gjyqësore, e tërësisht të argumentuar në bisedat e tyre që na qenkan “brimë mëngjesi”. Evropa kërkon rezultate konkrete e jo fshatra të Potemkinit që po na i servojnë sa vite këta “çlirimtarët” e nënshtruar para Miles, Gordës e Sashës. Evropa kërkon përkushtim në punë dhe profesionista, kërkon ligjshmëri e jo anarki, shtet të të se drejtës e drejtësi e jo burgje të mbushur me të dënuar në proçese të montuara politike. Evropa pensionistët e tyre i trajton si të tillë dhe ata që gëzuan pensione prej tyre nuk e kan vendin në politikë. Evropa kërkon frymë progresive e përparimtare e jo mentalitet destruktiv. Evropa nuk na don përderisa ende kemi të pafajshëm që dergjen burgjeve. Njerëz të aftë e profesionista që bredhin rrugëve e vendet e tyre i kanë uzurpuar puthadorët e kriminelët e sojeve të ndryshme, që dita ditës po verifikohen e po burgosen. Jo me rini që po migron, e dëshpëruar dhe pa perspektivë, në ndërkohë që Aliu e Musa kërkojnë “trëndafila” e Teuta u ofron “Trëndafilka”, Evropa nuk don “llokuma”, “kocka” e “byftek”… Hec e numëro gjitha të “arriturat” e dyshes në “Cool qendrën” politike të quajtur BDI! Mjerim! Populli shqiptar i kësaj ane është punëtor, i durueshëm, i sinqert e mbi të gjitha i ndershëm, dhe rrjedhimisht më së paku meriton të ketë para vetes tipa si Aliu e Musa në pako me ofendimet që ua bëjnë, por ja që gjer më sot, ujku ishte i mbuluar me lëkurën e qengjit, dhe në fund e vërteta po del në shesh. Ky popull meriton një të ardhme më të mire dhe lider të sinqert, udhëheqësi që primare do të ketë mirëqenien e kombit e jo teket personale, andaj edhe ai i cili e filloi këtë rrugëtim duke kërkuar drejtësi dhe jetë më të mire për të gjithë, sot duhet të vetëdijësohet, një orë e më pare, të pranojë se bëri gabim duke pranuar bashkëqeverisje me një pjesë të së keqes që përjetuam, duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme, të lejojë popullin të vendosë për të ardhmen , të dënojë matrapazët e të shpërblejë të ndershmit. Më mire sot të pranojë dështimin e pjesërishëm në rrugëtim, se sa nesër të pranojë dështimin e plotë. Ky vend ka ardhmëri, por pa Qyqet. Veprat vlerësohen sipas qëllimit, e qëllimi i qyqeve është të vendosin vezët e tyre në folenë tone.
El Cheka ua zboloi vezët e ua prishi “El Doradon”, duke na dëshmuar se Qyqja mbetet Qyqe.
Kuukuu-Kuukuu-Kuukuu!