Maqedoni

Fillon regjistrimi provë i popullatës, shtëpive dhe banesave

Shpërndaje

Enti Shtetëror për Statistikë (ESHS) sot do të fillojë me aktivitetet në terren për regjistrimin provë të popullatës, shtëpive dhe banesave. Regjistrimi provë do të zbatohet në 32 qarqe të regjistrimit, në territorin e 13 komunave në shtet, dhe atë në Gostivar, Kisella Vodë, Zelenikovë, Shtip, Radovish, Kumanovë, Shën Nikollë, Kratovë, Prilep, Dollnen, Strugë, Kërçovë dhe Vallandovë.

Sipas ESHS, qëllimi themelor i regjistrimit provë është testimi i zgjidhjeve metodologjike, organizative dhe sistemit IT të përgatitura për zbatimin e metodologjisë së re të kombinuar në regjistrimin e popullatës, shtëpive dhe banesave.

Regjistrimi provë do të kryhet ekskluzivisht për qëllime statistikore dhe nuk do të gjenerojë të dhëna, por vetëm informacion mbi gatishmërinë operacionale dhe teknike të të gjitha instrumenteve për zbatimin e suksesshëm të këtij operacioni të madh statistikor në vitin 2020, thonë nga ESHS.