Kurti kujton Arif Seferin, akuzon Maqedoninë e Veriut për mos zbardhjen e rastit të vde*kjes së tij

Shpërndaje

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në 27 vjetorin e vde*kjes kujton Arif Seferin.

Kurti tha se Maqedonia e Veriut nuk merret me ndriçimin e rastit të vde*kjes së Seferit në burgun e Shkupit.

“Arifi ishte mësues i shkollës fillore në rrethinë të Kumanovës dhe në qytet. Ka punuar me dashuri e përkushtim të madh, pedagogjik e patriotik, për nxënësit e për popullin”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ja postimi i plotë i tij:

Sot janë mbushur 27 vjet nga vde*kja e Arif Seferit në rrethana të errëta në Burgun e Shkupit. Më 18 qershor 1992 ai ishte arrestuar nga organet e punëve të brendshme të Maqedonisë dhe pesë ditë më vonë pushteti ia ktheu të vde*kur të birin e saj familjes pasardhëse të Idriz Seferit. Pa u bërë një vit prej kur Maqedonia asokohe e kishte shpallur pavarësinë nga Jugosllavia, forca të mëdha policore e kishin rrethuar shtëpinë Seferi thua se donin të dëshmonin që për shqiptarët nuk do të ndryshonte gjë. As sot e kësaj dite drejtësia në Maqedoninë e Veriut nuk merret me ndriçimin e këtij rasti dhe shumë të tjerëve të ngjashëm.

Arifi ishte mësues i shkollës fillore në rrethinë të Kumanovës dhe në qytet. Ka punuar me dashuri e përkushtim të madh, pedagogjik e patriotik, për nxënësit e për popullin. Ishte njëri nga promotorët e demonstratës së 29 gushtit 1968 në Kumanovë, u angazhua me mish e me shpirt që flamuri kombëtar të valonte edhe në Kumanovë, kurse gjatë viteve 1981‒1985 ishte ndër më aktivët në luftën kundër suprimimit të arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në Kumanovë dhe në Republikën e Maqedonisë. Ai nuk mburrej për prejardhjen nga familja e mirënjohur me traditë atdhetare, por këtë e konsideronte përgjegjësi shtesë për veten e tij në përpjekjet për të drejtat kombëtare.