Nesër një vjetori i Marrëveshjes së Prespës, nis dhënia e targave me kodin NMK

Shpërndaje

Nga e hëna pritet të jepen targat e reja të regjistrimit për automjetet me kodin NMK. Ndërrimi i targave të vjetra të regjistrimit me të rejat do të bëhet gradualisht gjatë regjistrimit të automjeteve. Me ndryshimet në Rregulloren për formën dhe përmbajtjen e formularit të kërkesës për lëshim të targave provë për automjete, lëshimi i targave me kodin e ri ishte paraparë të fillonte më 15 qershor, por për shkak se është fundjavë targat e reja do të lëshohen nga e hëna, më 17 qershor, pikërisht në një vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Deri tani, etiketa me shenjën “NMK” për targat e automjeteve janë dhënë në dalje ose hyrje në Republikën e Maqedonisë së Veriut .

Ndryshimi i targave është pjesë e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës. Si pjesë të dakorduar nga kjo marrëveshje, vendi më herët ka ndryshuar edhe emrin e aeroportit të Shkupit dhe autostradës Tabanovcë deri në pikë kalimin kufitare Bogorodicë. Aeroporti që mbante emrin “Aleksandri i Madh”, u emërua “Aeroporti Ndërkombëtar- Shkup”, ndërsa autostrada e cila e mbante emrin e njëjtë sikurse aeroporti, u emërua “Miqësia”.

Marrëveshja historike e nënshkruar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila përmbylli kontestin shumëvjeçar për emrin, nesër shënon përvjetorin e parë. Marrëveshja u nënshkrua në Prespë, në pjesën e Greqisë, dhe mban nënshkrimet e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov dhe ministrit të atëhershëm të Greqisë, Nikos Kocijas, në prezencë të ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic. Në ceremoni morën pjesë edhe dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri Evropian Johannes Hahn.

Marrëveshja u arrit pas një sërë raundesh të negociatave të zhvilluara mes përfaqësuesve të dy palëve me ndërmjetësim të të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Metju Nimic, që rifilluan në dhjetor të vitit 2017, pas tre viteve pauzë. Përpos që i dha fund një kontesti bilateral, marrëveshja zhbllokoi proceset e integrimeve euro-atlantike të vendit, që deri atëherë i kishte penguar Greqia./SHENJA/

VIDEO