Opozita Shqiptare: Prokuroria le te merret me zyrtarët e BDI-së dhe jo me El Chekën!

Shpërndaje

Derisa institucionet ndjekin autorin për publikime e bisedave telefonike, opozita kërkon dorëheqje nga funksionarët dhe ish funksionarët e BDI-së, siç thonë për keqpërdorimet që kanë bërë, duke shfrytëzuar pozitat zyrtare. Partitë politike të opozitës kërkojnë nga Prokuroria Themelore mos të merret me “El Cheka-n”, por Prokuroria Speciale t’i marrin si relevante dëshmitë që dalin nga këto përgjime dhe të nisin proceset para hetimore.

Prokuroria Speciale Publike është dashur me kohë që të procedoj të gjitha rastet që të mos të ketë pastaj keqpërdorime. Ritheksojmë edhe njëherë nevojën e menjëhershme që të zbardhen të gjitha aferave korruptive që kanë të bëjnë me regjimin e kaluar, përfshirë këtu edhe partnerin qeveritar shqiptarë BDI-deklaroi Abdush Demiri, Lëvzija Besa.

Në rast se nuk ndodh kjo është normale që votuesit shqiptar të bëjnë ndëshkimin ndaj BDI-së me votë, të cilët do ta vlerësojnë sipas gjykimeve të tyre. Është koha që BDI dhe krerët e saj seriozisht të mendojnë për këtë çështje pasi që vlerësojmë se janë në një krizë morale-politike dhe kuptohet se duhet të mbajnë përgjegjësi- tha Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.

Nga BDI-ja sot nuk kanë komentuar akuzat ndërsa ditë më parë thanë se me publikimin e bisedave të përgjuara të funksionarëve të lartë të partisë në rrjetet sociale duhet të merren institucionet kompetente. Zëdhënësi i partisë Bujar Osmani kishte deklaruar se bisedat janë private dhe institucionet duhet të garantojnë privatësinë e çdo qytetari përfshirë edhe të funksionarëve të partisë. Shoqërim Ameti, i njohur me pseudonimin “El Cheka” nga java kaluar filloi të publikoj në rrjetin social disa biseda të përgjuara, me ç rast disa herë ia kanë mbyllur profilet. Ai rihap profile të reja duke pretenduar se posedon edhe bomba tjera mjaft të fuqishme që sipas tij do të ndryshonin rrjedhën e disa proceseve të hapura gjyqësore siç është rasti “Monstra” dhe “Lagja Trimave”. /Alsat-M