Zaev: Nëse ka zgjedhje të parakohëshme parlamentare mund të kemi kualicion edhe me ASH-në dhe BESËN

Shpërndaje

Nëse në qershor ose korrik Maqedonia e Veriut nuk merr datë për nisje negociatash, Kryeministri si opsion e sheh kthimin e mandatit.

Nëse vjen puna deri këtu, sipas Zoran Zaevit, hapen dy opsione të reja, formim i një qeverie të re ose zgjedhjet e parakohshme, për të cilat thotë se do të ishin të dëmshme për ekonominë.

Por me kë do të koaliciononte Zaev, nëse Presidenti sërish i jep mandat? Ai nuk hedh poshtë asnjë mundësi, përfshirë edhe koalicionin me opozitën shqiptare, për të cilën u pyet nga gazetarët.

“Opsionet e tjera janë marrja e mandatit të ri, se me cilin mandatar do të shohim, kemi President të shtetit, që besoj se tani do të japë mandat dhe s’do të kemi humbje muajsh për dhënie mandati, e më pas vetë mandatari i bën të gjitha analizat se me kë do ta përbëjë qeverinë, si persona dhe si subjekte politike, por kjo varet nga thelbi i vetë debatit nëse vihet deri tek kthimi i mandatit”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Opozita shqiptare, si Besa po ashtu edhe Aleanca për Shqiptarët ngurojnë të përgjigjen drejtpërdrejt për koalicion të ri të mundshëm me Kryeministrin Zaev. Megjithatë zëdhënësi i ASH-së Flakron Bexheti i tha TV21 se nuk mund të jenë në një koalicion ku bën pjesë edhe BDI-ja.

“Sa kam unë informacion, në radhët e Aleancës për Shqiptarët nuk ka disponim që të bashkëqeveriset me BDI-në sepse ne vlerësojmë se BDI-ja tashmë është pengesë kryesore në realizimin e shumë objektivave po aq më tepër edhe atyre eurointegruese, kështu që ripërsëris qëndrimin tonë se zgjidhja më e mirë e mundshme për ne ishte dhe do të jetë që vendi të shkojë në zgjedhje te parakohshme parlamentare”, tha Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Sekretari gjeneral i “Lëvizjes Besa” Arianit Hoxha thotë se nëse do të kishin një ofertë për bashkëqeverisje, vendimin do ta merrnin në varësi të rrethanave.

“Janë situata shumë hipotetike të cilat nuk ia vlen për t’i komentuar. Deri te nuk ka arritur asnjë ofertë, nëse vjen diçka e tillë do t’i përgjigjemi konform rrethanave dhe vendimeve që do të marrin organet e partisë”, potencoi Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Para 3 javësh i pyetur nëse qeveria aktuale mund të jetojë edhe pa BDI-në, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani tha se një gjë e tillë nuk është e mundur.

“Jo, nuk mundet”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

I shkruajtëm edhe deputetes Elizabeta Kançevska-Milevska, pjesë e grupit të pavarur të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, megjithatë nuk na u përgjigj në pyetjen nëse do të pranonin të ishin pjesë e një shumice të re të mundshme.